Nga salla e konferencave në Speciale, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, Ekaterina Trendafilova, ka dalë me një deklaratë rreth institucionit, pas protestave masive kundër vendimeve të saj dhe miratimit të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Pa i përmendur askund ndryshimet në ligj apo duke iu përgjigjur konkretisht kritikave të gjera dhe të vazhdueshme për anshmëri e ndërhyrje politike, Trendafilova ka thënë se që nga fillimi janë përballur me dezinformata.
“Që nga themelimi, Dhomat e Specializuara i janë nënshtruar dezinformatave lidhur me pavarësinë dhe funksionimin e tyre”, ka thënë ajo, teksa ka shtuar se ka pasur edhe përpjekje për pengimin e drejtësisë.
Kryetarja, e cila prej kohësh nuk sfidohet në intervista apo konferenca nga shoqëria civile dhe kritikët, pa folur për ndryshimet në ligj, ka folur për burimin e mandatit të tyre.
“Dhomat e Specializuara janë një institucion gjyqësor, mandati i të cilit përcaktohet nga një shkëmbim letrash, Kushtetuta e Kosovës dhe Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, deklaron ajo.
Ajo ka përsëritur refrenin se Specialja garanton gjykim të drejtë.
“Ndryshe nga dezinformatat që përhapen vazhdimisht për gjykatën, Dhomat e Specializuara u garantojnë të akuzuarve të drejtat për një gjykim të drejtë, në përputhje me standardet e njohura ndërkombëtarisht”, deklaron ajo.
Oda e Avokatëve të Britanisë dhe Uellsit, në një raport të saj të mëhershëm, kishte argumentuar në mbi 60 faqe se procesi nuk ishte i drejtë dhe karakterizohej nga anshmëria dhe shqetësimet për shkelje të të drejtave të njeriut.
Por Trendafilova nuk është marrë konkretisht me këto kritika as në këtë deklaratë. Ajo ka folur në parime të përgjithshme për gjyqtarët.
“Për t’u kualifikuar si gjyqtar në Dhomat e Specializuara të Kosovës, ata duhet të jenë persona me karakter të lartë moral, të paanshëm dhe me integritet, si dhe të kenë kualifikimet e nevojshme në shtetet e tyre për t’u emëruar në postet më të larta gjyqësore. Siç përcaktohet në betimin e tyre gjyqësor, gjyqtarët i ushtrojnë detyrat e tyre në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe të ndërgjegjshme, në shërbim të drejtësisë dhe sundimit të ligjit”, deklaron ajo.
Madje, ajo ka thënë se askush nuk mund t’ua diktojë vendimet.
“Ndonëse kritika ndaj vendimeve gjyqësore është legjitime në një shoqëri demokratike, sundimi i ligjit kërkon që askush të mos diktojë se si gjyqtarët e interpretojnë dhe e zbatojnë ligjin. Si institucion gjyqësor i pavarur, Dhomat e Specializuara e ushtrojnë mandatin e tyre pa u ndikuar nga konsideratat, preferencat, ndikimet apo ndërhyrjet politike”, shprehet ajo.
“Dhomat e Specializuara mbeten të palëkundura në angazhimin e tyre për të respektuar standardet më të larta ndërkombëtare, ndërsa vazhdojnë punën që u është besuar, në mënyrë të pavarur nga çdo presion i jashtëm, me pritshmërinë që të gjithë aktorët e përfshirë t’i përmbushin detyrimet e tyre përkatëse, në mënyrë që të sigurohet respektimi i sundimit të ligjit”.
Ekaterina Trendafilova ka qenë që nga fillimi një vizitore e shpeshtë e ambasadave të shteteve të BE-së. Madje, në shumë prej takimeve që zhvillonte me diplomatë, flitej për dënime të përjetshme për krerët e UÇK-së – siç ishte takimi i dhjetorit të vitit 2020, ku mori pjesë edhe ish-kryeprokurori Jack Smith.









