Enis Osmani, i dënuar për vjedhje të votave, është emëruar nënkryetar i Komunës së Mitrovicës nga Kryetari i kësaj komune, Faton Peci.

Lajmin për emërimin në këtë pozitë e ka bërë vetë Osmani, përmes një postimi në Facebook.

“Me ndjenjë të lartë të përgjegjësisë, ju njoftoj se jam emëruar Nënkryetar i Komunës së Mitrovicës së Jugut. Ky emërim përfaqëson nderin më të madh të jetës sime dhe njëkohësisht obligimin për t’i shërbyer interesit publik, duke ofruar qeverisje të mirë të bazuar në transparencë dhe llogaridhënie ndaj qytetarit”, shkroi Osmani në Facebook.

Osmani, që është një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Pecit, ka qenë i dënuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë për veprën penale “Vjedhje e votave”.

Gjykata e kishte shpallur atë fajtor pasi që kishte falsifikuar rezultatet në zgjedhjet e 2017-së në vendvotimin 1115B/02d, në shkollën fillore “Xhevat Jusufi” në Mitrovicë.

Osmani kishte hequr dhe shtuar vota për disa subjekte politike. Për këtë, ai ishte dënuar me 1 mijë e 500 euro gjobë, pasi që kishte pranuar fajësinë për veprën penale “Falsifikim i rezultateve të votimit”.