Bedri Hamza është zgjedhur Kryetar i ri i Partisë Demokratike të Kosovës në Konventën e dymbëdhjetë të PDK-së që u mbajt këtë të hënë.

Pro Hamzës votuan të gjithë delegatët e pranishëm në Konventë. Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, tha se nuk ka asnjë votë kundër.

Në fjalën e tij pas zgjedhjes Kryetar, Hamza falënderoi delegatët për besimin.

“Sot më dhatë një përgjegjësi të madhe, një nder të jashtëzakonshëm dhe një detyrë që e pranoj me nder dhe përkushtim të plotë. Falë punës, sakrificës dhe besimit tuaj, PDK-ja vazhdon të jetë shtëpia jonë e përbashkët”, tha Hamza.

Ai premtoi se do t’i forcojë strukturat e partisë.

“Si kryetar i ri, premtoj se do ta hapim partinë tonë për secilin qytetar që dëshiron të kontribuojë. Do t’i forcojmë strukturat tona lokale dhe qendrore. Do të përfshijmë më shumë të rinj në vendimmarrje dhe aktivitete. Do ta ndërtojmë frymën e bashkëpunimit dhe të përgjegjësisë që Kosovës i duhet. Ne do të ecim vetëm përpara, me përgjegjësi, me maturi dhe me zotimet që do t’i mbajmë deri në fund. Rruga përpara kërkon vendosmëri dhe guxim dhe ne e kemi”, shtoi.

Hamza u zotua se do t’i jap PDK-së gjithçka që mundet, “ashtu siç ajo më dha mua gjithçka”. “Vazhdojmë së bashku, pa u ndalur, drejt fitoreve të reja. Faleminderit delegatë. Faleminderit PDK”, deklaroi.

Kryetari i ri i PDK-së ka një karrierë të gjatë politike. Ai ka qenë deputet, ministër, Kryetar Komune dhe Guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës.

Ka qenë Ministër i Financave në dy mandate, në Qeverinë e dytë të Hashim Thaçit (2011-2014) dhe në atë të Ramush Haradinajt (2017-2019).

Hamza ka qenë edhe Kryetar i Komunës së Mitrovicës (2021-2025), ndërsa ka garuar edhe si kandidat i PDK-së për Kryeministër të Kosovës në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

Hamza merr drejtimin e PDK-së disa ditë pas dorëheqjes së Memli Krasniqit.

Ai është Kryetari i katërt i PDK-së. Para tij, PDK-ja ka pasur tre kryetarë dhe një ushtrues detyre. Kjo parti, që nga themelimi e deri në vitin 2016 ishte udhëhequr nga Hashim Thaçi. Ai kishte dhënë dorëheqje pasi që ishte zgjedhur President i Kosovës.

Thaçin e kishte pasuar Kadri Veseli, i cili kishte drejtuar PDK-në deri në nëntor të vitit 2020. Ai kishte dhënë dorëheqje për shkak se i ishte ngritur aktakuzë për krime të pretenduara lufte nga Gjykata Speciale.

Si ushtrues detyre i Kryetarit të PDK-së ishte caktuar Enver Hoxhaj. Ai kishte qëndruar në këtë pozitë për disa muaj.

Më pas, si Kryetar, më 3 korrik 2021, ishte zgjedhur Memli Krasniqi. Ai ishte rikonfirmuar si Kryetar i PDK-së më 21 qershor të vitit 2025, në Konventën e Përgjithshme të PDK-së, të njëmbëdhjetën me radhë. Si Kryetar i PDK-së, Krasniqi ka qenë për plot 4 vjet e katër muaj.