Pas dorëheqjes së drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka nisur riorganizimin e strukturës udhëheqëse të Policisë.

Siç merr vesh VOX Kosova, në kuadër të këtyre ndryshimeve, Fehmi Xhata është vendosur në krye të Departamentit të Hetimeve, ndërsa Taibe Canolli-Brajshori është përzgjedhur për pozitën e zëvendësdrejtoreshës së përgjithshme të Policisë së Kosovës.

Në mesin e zyrtarëve që lidhen me këto ndryshime janë edhe emra të tjerë të strukturës së lartë policore.

Por, ajo që bie në sy është se disa nga zyrtarët që po përfshihen në këtë riorganizim kishin zhvilluar së bashku një takim në vitin 2025 në Ambasadën e Kosovës në Zagreb, me ambasadorin Martin Berishaj.

Për këtë takim kishte njoftuar vetë Ambasada e Kosovës në Kroaci, duke bërë të ditur se në të ishte diskutuar për politikat e migracionit dhe rolin e institucioneve të sigurisë në proceset e integrimit evropian të Kosovës.

Në njoftimin e Ambasadës ndër të tjera thuhej:

“Gjatë takimit u zhvillua një bisedë e frytshme dhe e përzemërt mbi zhvillimet aktuale në fushën e politikave të migracionit dhe rolin e institucioneve të sigurisë në proceset e integrimit evropian të Kosovës. Ambasadori dr. Berishaj theksoi rëndësinë e pjesëmarrjes aktive të përfaqësuesve të MPB-së në forume ndërkombëtare, duke nënvizuar se përvoja e fituar në Kroaci përbën një vlerë të shtuar për forcimin e kapaciteteve profesionale të institucioneve kosovare.”

Ndryshimet vijnë pas dorëheqjes së Gazmend Hoxhës, e cila erdhi pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.