Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë të martën se ai beson që Ukraina mund ta marrë nën kontroll të gjithë territorin e saj që është okupuar nga Rusia dhe se Kievi duhet të veprojë tani me Moskën që po përballet me probleme të mëdha ekonomike.
Megjithatë, nuk ka pasur ndonjë ndryshim në politikën e jashtme amerikane që t’u përshtatet këtyre fjalëve, siç bie fjala ndonjë vendim për të vendosur sanksione të reja mbi Moskën të cilat janë kërkuar me ngulm nga presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, gjatë kësaj jave në New York.
“Putini dhe Rusia janë në problem të madh ekonomik dhe kjo është koha për ndonjë veprim nga Ukraina”, ka shkruar Trump në Truth Social, pak kohë pasi u takua me Zelenskyn në hapësirat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
“Pasi kam parë problemin ekonomik që lufta po i shkakton Rusisë, unë mendoj se Ukraina, me mbështetjen e Bashkimit Evropian, është në një pozicion për të luftuar dhe fituar të gjithë Ukrainën në formën e saj origjinale”, ka thënë Trump.









