Partia e ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD), e themeluar më shumë se një dekadë më parë në kundërshtim me mënyrën se si Bashkimi Evropian e trajtoi krizën e euros, po rikalibron vizionin e saj për Evropën, ndërsa ajo dhe aleatët e saj të djathtë në vende të tjera po fitojnë ndikim, shkruan Reuters.

Pas një fitoreje historike në zgjedhjet rajonale në Saksoni-Anhalt në shtator, partia më e popullarizuar në Gjermani, sipas sondazheve në nivel kombëtar, tashmë duket më afër se kurrë hyrjes në qeverinë federale para përfundimit të kësaj dekade.

Kjo perspektivë ka nxitur debat rreth mënyrës se si duhet të balancohet identiteti kundër establishmentit me nevojën për t’u paraqitur si partnere e besueshme për aleatët e mundshëm brenda dhe jashtë vendit.

E themeluar në vitin 2013, në kohën e pakënaqësisë për paketat e shpëtimit financiar të vendeve anëtare të eurozonës me borxhe të mëdha, AfD-ja e nisi aktivitetin si një lëvizje kundër monedhës së përbashkët.

Më vonë, ajo e zgjeroi kritikën edhe ndaj vetë Bashkimit Evropian, por mbështetje fitoi mbi të gjitha përmes kundërshtimit të emigracionit – një qëndrim që kundërshtarët e saj dhe Agjencia e Inteligjencës së Brendshme të Gjermanisë thonë se i afrohet rrezikshëm supremacizmit dhe ksenofobisë, të cilat kanë lënë gjurmë të rënda në të kaluarën e afërt të Gjermanisë, vazhdon artikulli i Reuters.

AfD-ja i hedh poshtë akuzat për ekstremizëm, ndërsa shumë prej anëtarëve të saj tani argumentojnë se pranimi gjithnjë e më i madh i pikëpamjeve më radikale të së djathtës dhe ndikimi në rritje i partive me orientim të ngjashëm në pjesë të tjera të Evropës e bëjnë më të dobishme reformimin e BE-së nga brenda sesa braktisjen e saj tërësisht.

“Asnjëherë që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore nuk kanë qenë më të mira perspektivat për reformimin e BE-së në përputhje me vizionin tonë”, tha deputeti i AfD-së në parlamentin federal, Sebastian Muenzenmaier.

Megjithatë, synimi për largimin nga euroja – i rëndësishëm për shumë prej themeluesve dhe mbështetësve të hershëm të AfD-së – ka rezultuar më i vështirë për t’u trajtuar.

Anëtarët më të rinj, si Jean-Pascal Hohm, 29-vjeçari që drejton krahun rinor të partisë, Generation Deutschland, argumentojnë se qëndrimet e ashpra ndaj Evropës mund ta komplikojnë rrugën më realiste të AfD-së drejt pushtetit federal: bashkëpunimin eventual me kristiandemokratët konservatorë (CDU) të kancelarit Friedrich Merz, të cilët aktualisht përjashtojnë çdo aleancë me të.

Muajin e kaluar, bashkëkryetarja e AfD-së, Alice Weidel, prezantoi në Parlamentin Evropian në Strasburg një dokument strategjik për një “Marrëveshje të Re për Evropën”, së bashku me aleatët e saj në grupimin Evropa e Kombeve Sovrane (ESN).

Dokumenti e zhvendos theksin nga largimi prej eurozonës dhe BE-së, duke u përqendruar në vend të kësaj te rinegocimi i traktateve për krijimin e një bashkimi më të lirshëm.

Ai propozon një mekanizëm për përjashtim nga zbatimi i politikave të përbashkëta për shtetet anëtare që i kundërshtojnë ato, për shembull në fushën e shpenzimeve të mbrojtjes ose emigracionit, si dhe zbatim më të rreptë të rregullave buxhetore. Kjo e lë të hapur mundësinë e mbajtjes së euros si monedhë.

Nëse përpjekjet për reforma dështojnë, dokumenti sugjeron që çështja e drejtimit të ardhshëm evropian të Gjermanisë të vendoset përmes një referendumi.

Weidel u tha gazetarëve se AfD-ja dhe ESN-ja angazhohen për “një bashkim evropian, një Evropë e baballarëve”, por refuzoi të tregonte nëse ende dëshiron që Gjermania të largohet nga eurozona apo nga Bashkimi Evropian.

Duke e lënë mënjanë kundërshtimin e saj, AfD-ja do të ndiqte një rrugë të cilën tashmë e kanë ndjekur partitë e ekstremit të djathtë që kanë arritur sukses në vende të tjera të eurozonës.

Tubimi Kombëtar i Francës (National Rally) për një kohë të gjatë bëri fushatë për braktisjen e euros, por gradualisht e hoqi këtë kërkesë nën udhëheqjen e Marine Le Pen, në përpjekje për të zgjeruar mbështetjen. Tani kjo parti konsiderohet favorite për të fituar zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.

Në Itali, partia “Vëllezërit e Italisë” e Kryeministres Giorgia Meloni e ka zbutur retorikën euroskeptike që nga ardhja në pushtet, duke zgjedhur t’i ndjekë objektivat e saj brenda BE-së.

Më afër Gjermanisë, Partia e Lirisë e Austrisë (FPOe), e ekstremit të djathtë dhe me lidhje të ngushta me AfD-në, hoqi dorë nga shumica e qëndrimeve të saj kundër Evropës në rrugën drejt marrjes së një pjese të pushtetit në koalicionet qeverisëse në nivel kombëtar.

“​​Austria shërben si model për AfD-në”, tha Wolfgang Schroeder, profesor i shkencave politike në Universitetin e Kasselit.

“Në këtë kuptim, ndoshta është vetëm çështje kohe para se ata të heqin dorë nga këto qëndrime”, tha Schroeder, duke shtuar se nuk beson se kjo do të shkaktojë rezistencë të konsiderueshme.

Në çdo rast, ekonomia e Gjermanisë është aq e ndërlidhur me tregun global dhe aq e mbështetur në eksporte, saqë largimi nga BE-ja ose euroja do të ishte katastrofë, tha ai.

“Një lëvizje drejt autarkisë, si ajo që Hitleri zhvilloi në vitin 1933, është praktikisht e pamundur në këto kushte, përveç nëse dikush është i gatshëm të rrezikojë kolapsin e të gjithë ekonomisë kombëtare”.

Hohm dhe kolegët e tij më të rinj në AfD paraqesin një argument të ngjashëm. Ata thonë se realitetet politike në ndryshim në Evropë, si dhe konkurrenca në rritje nga Kina dhe një SHBA pak të besueshme, e bëjnë të domosdoshëm më shumë bashkëpunim brenda BE-së, e jo më pak.

“Nëse do ta anulonim në thelb monedhën e përbashkët dhe secili do të ndiqte sërish rrugën e vet, kjo do të ishte krejtësisht utopike dhe gjithashtu do të na shkaktonte dëme të mëdha”, tha Hohm.

“Të rinjtë evropianë, pavarësisht kombësisë, gjithnjë e më shpesh e shohin veten si evropianë dhe janë më pak të gatshëm të vazhdojnë konfliktet e gjyshërve të tyre”.

Megjithatë, brenda vetë partisë, kjo çështje është larg të qenit e zgjidhur.

Në një kongres të mbajtur në gusht, Hohm paraqiti një rezolutë ku thuhej: “Generation Deutschland angazhohet për idenë evropiane… Evropa është më shumë se një hapësirë ekonomike, më shumë se një bashkim monetar dhe më shumë se Bashkimi Evropian”.

Megjithatë, ndonëse rezoluta ishte formuluar për të theksuar rolin e BE-së në forcimin e historisë dhe trashëgimisë së përbashkët, e jo bashkëpunimin ekonomik, ajo u tërhoq pasi nuk arriti të siguronte mbështetjen e mjaftueshme.

“Çështja e euros rezultoi më e diskutueshme nga sa kishim pritur”, tha ai.