NDRYSHE NGA SEÇ TREGOJNË VIDEOT Administrata e Trump-it mbron vrasjen e amerikanit në Minneapolis

Pretti është amerikani i dytë që vritet këtë muaj nga oficerë federalë të emigracionit në Minneapolis

NDRYSHE NGA SEÇ TREGOJNË VIDEOT Administrata e Trump-it mbron vrasjen e amerikanit në Minneapolis

Foto: Reuters – Një grua duke bërë homazhe pranë memorialit të impovizuar të Alex Pretti-t, i vrarë të shtunën nga agjentë të emigracionit

Zyrtarë të administratës së Presidentit amerikan, Donald Trump, mbrojtën të dielën vrasjen me armë të një qytetari amerikan nga agjentë të emigracionit në Minneapolis, edhe pse pamjet e videove e kundërshtojnë versionin e tyre të ngjarjes dhe ndërsa tensionet mes forcave lokale të rendit dhe oficerëve federalë janë rritur, shkruan Reuters.

Ndërsa banorët vizitonin një memorial të improvizuar me lule dhe qirinj, në temperatura ngrirëse dhe me borë, për të përkujtuar vrasjen e së shtunës të Alex Pretti-t, zyrtarë të administratës Trump deklaruan se Pretti kishte sulmuar oficerët, duke i detyruar ata të qëllonin në vetëmbrojtje. Ky rrëfim bie ndesh me videot e regjistruara nga kalimtarët.

Pretti është amerikani i dytë që vritet këtë muaj nga oficerë federalë të emigracionit në Minneapolis, ku Trump ka dislokuar mijëra agjentë të armatosur dhe me maska në kuadër të një fushate deportimesh pa precedent.

Guvernatori i Minnesota-s, Tim Walz, i bëri sërish thirrje Trump-it të tërheqë agjentët federalë nga shteti ku ai drejton. Madje, Walz i është drejtuar një gjykate federale për të frenuar, sipas tij, tejkalime antikushtetuese në këtë operacion.

“Viktimat janë agjentët e Patrullës Kufitare,” deklaroi Gregory Bovino, zyrtar i lartë i Patrullës Kufitare, për emisionin “State of the Union” në CNN.

Ky qëndrim zyrtar, i përsëritur edhe nga Sekretarja e Sigurisë Kombëtare, Kristi Noem, dhe anëtarë të tjerë të administratës së Trump-it, shkaktoi indinjatë te udhëheqësit demokratë lokalë, forcat e rendit dhe demokratët në Kongresin amerikan. Ata iu referuan videove të dëshmitarëve, të cilat tregojnë se Pretti kishte në duar vetëm një telefon celular përpara se agjentët ta përplasin në tokë dhe në fund ta qëllonin nga afër.

Gjatë javëve të fundit, agjentët federalë janë përballur me protesta të shumta të banorëve të zemëruar në rrugët e ngrira të qytetit, disa prej të cilëve frynin bilbila. Edhe të dielën, mijëra njerëz mbushën rrugët e Minneapolis-it për të protestuar kundër shtimit të agjentëve të Shërbimit të Emigracionit dhe Doganave të SHBA-së (ICE), duke brohoritur dhe duke valëvitur pankarta me mbishkrimin: “ICE LARGOHU!”.

Videot e vrasjes të së shtunës, të verifikuara nga Reuters, tregojnë Pretti-n, 37 vjeç, duke mbajtur një telefon në dorë, jo një armë, teksa përpiqet t’u vijë në ndihmë protestuesve të tjerë që ishin shtyrë në tokë nga agjentët.

Pretti shihet duke filmuar, ndërsa një agjent federal largon me forcë një grua dhe shtyn një tjetër përtokë. Pretti vendoset mes agjentit dhe grave, pastaj ngre krahun e majtë për t’u mbrojtur, ndërsa agjenti e spërkat me sprej piper.

Më pas, disa agjentë e kapin Pretti-n, i cili përleshet me ta, dhe e detyrojnë të bjerë në duar dhe gjunjë. Ndërsa agjentët e mbajnë të shtrirë, dëgjohet dikush që bërtet diçka që tingëllon si paralajmërim për një armë.

Pamjet e videove tregojnë një nga agjentët duke nxjerrë një pistoletë nga zona e brezit të Pretti-t dhe duke u larguar me të nga grupi.

Pak çaste më vonë, një oficer drejton armën drejt shpinës së Pretti-t dhe qëllon katër herë radhazi. Dëgjohen edhe të shtëna të tjera, teksa një tjetër agjent duket se qëllon ndaj Pretti-t.

Darius Reeves, ish-drejtues i zyrës rajonale të ICE-it në Baltimore, i tha Reuters-it se mungesa e dukshme e komunikimit mes agjentëve ishte shqetësuese. “Është e qartë, nga vëzhgimi im, se askush nuk po komunikon”, tha Reeves.

Zyrtarët e Minnesota-s thonë se Pretti kishte një leje të vlefshme shtetërore për të mbajtur armë të fshehur në publik, një e drejtë që Gjykata e Lartë e SHBA-së e shpalli kushtetuese në vitin 2022.

Shefi i policisë së Minneapolis-it, Brian O’Hara, i tha emisionit “Face the Nation” në CBS se “videot flasin vetë”, duke e cilësuar versionin e administratës Trump për ngjarjen si thellësisht shqetësues. Ai tha se nuk kishte parë asnjë provë që Pretti të kishte drejtuar armë.

Tensionet në qytet ishin tashmë të larta pasi më 7 janar një agjent federal i emigracionit vrau qytetaren amerikane Renee Good, pasi iu afrua automjetit të saj të parkuar. Zyrtarët e Trump-it thanë se ajo po përpiqej ta përplaste agjentin me makinë, por vëzhgues të tjerë thonë se videot sugjerojnë se ajo po përpiqej të largohej nga oficeri që e qëlloi.

Autoritetet shtetërore dhe lokale po hetojnë nëse agjenti që vrau Good ka shkelur ligjet e Minnesota-s. Departamenti amerikan i Drejtësisë u tërhoq nga bashkëpunimi në këtë hetim, dhe të paktën një duzinë prokurorësh federalë thanë se po jepnin dorëheqjen për shkak të mënyrës se si Departamenti i Drejtësisë e trajtoi rastin.

Me kërkesë të Minnesota-s, një gjykatës federal lëshoi të shtunën në mbrëmje një urdhër të përkohshëm që ndalon administratën Trump të shkatërrojë ose ndryshojë provat që lidhen me vrasjen e Pretti-t.

Në deklarata të ndara, ish-presidentët amerikanë, Barack Obama dhe Bill Clinton, dënuan vrasjet e Good dhe Pretti-t; Clinton akuzoi administratën Trump për gënjeshtra, ndërsa Obama tha se vlerat amerikane janë nën sulm.

“Kjo duhet të ndalet”, thanë Barack dhe Michelle Obama.

Pretti punonte si infermier në kujdesin intensiv në një spital të Departamentit të Çështjeve të Veteranëve. Të dielën, më shumë se 200 punonjës shëndetësorë u mblodhën në vendin e vrasjes së tij, duke vënë lule. Një grua me uniformë mjekësore, e pyetur pse kishte ardhur, tha se kishte punuar me Pretti-n dhe shpërtheu në lot.

“Ai ishte i kujdesshëm dhe i mirë”, tha ajo, duke kërkuar të mos i përmendej emri nga frika e hakmarrjes nga qeveria federale. “Asgjë nga kjo nuk ka kuptim”.

Në një konferencë për shtyp të dielën, Prokurori i Përgjithshëm i Minnesota-s, Keith Ellison, rrëfeu një histori që, sipas tij, i ishte treguar nga djali i tij 31-vjeçar, infermier në sistemin shëndetësor të shtetit.

“Kur ishte në punë sot dhe mbrëmë, ai tha: ‘Kolegët tanë po qanin dhe ishin të tronditur; e përjetuan shumë personalisht goditjen ndaj njërit prej tyre’”, u tha Ellison gazetarëve.

Trump ka mbrojtur operacionet, duke i cilësuar të nevojshme për të ulur kriminalitetin dhe për të zbatuar ligjet e emigracionit.

LAJME

DREJTËSI, JO POLITIKË Liria ka Emër fton qytetarët të marrin pjesë në marshin në mbrojtje të UÇK-së

VËMENDJE NDËRKOMBËTARE Mediat e huaja: Verdikti për ish-krerët e UÇK-së do ketë ndikim rajonal dhe evropian

QEMAJL ÇLIRIMTARI 89 tenderë i fiton kompania e nipit të asamblistit të Vetëvendosjes nga Komuna e Shtimes

FAKT YOU

QEMAJL ÇLIRIMTARI 89 tenderë i fiton kompania e nipit të asamblistit të Vetëvendosjes nga Komuna e Shtimes

Lidhja e (pa)dukshme Dega e kompanisë së Vuk Hamoviç-it në Tiranë dhe BIRN-i i Jeta Xharrës në Kosovë me kontabilistë të njëjtë

REZERVAT E ROZETËS Kontaminohet sërish procesi i blerjes së Rezervave Shtetërore – përjashtohen të gjitha kompanitë vendore

DHOMA SPECIALE

BETEJA E FUNDIT‘Spekulimet të mos jenë fakte’ – UÇK përballë gjykimit që rrezikon të kthehet në precedent politik dhe historik

UÇK NË GJYQ Si po i shkelmon Specialja ligjet ndërkombëtare, duke shkelur të drejtat e njeriut në gjykimin ndaj krerëve të UÇK-së

Ekskluzive EKSKLUZIVE

AUDIO-INCIZIMI Zyrtarët e Speciales iu ligjëruan nxënësve të Kosovës se si UÇK-ja dyshohet se ka kryer krime, vrasje e tortura

INTERVISTA

INTERVISTA Valdete Daka thotë se Vjosa Osmani nuk e meriton edhe një mandat si presidente

NDËRHYRJA E MUJKËS Mehmetaj përplaset me Drejtorin e Burgjeve: S’je ka sqaron sen, veç po thua s’e di edhe s’më kujtohet

“A shkelet ligji për Faruk Mujkën?” Lirim Mehmetaj përplaset me Drejtorin e Burgjeve, Ismail Dibranin