Ndryshe nga Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka thënë se pasojat e aktgjykimit dënues të Gjykatës Speciale për krerët e UÇK-së, “kanë shkuar përtej sallës së gjyqit dhe kanë prekur mënyrën se si është paraqitur historia e Kosovës”.

“Apeli duhet të trajtohet me seriozitetin e një beteje të madhe juridike me provat, argumentet dhe dijen më të mirë që mund të vihet në shërbim të tij. Krahas tij duhet një përpjekje e madhe diplomatike, sepse pasojat e këtij procesi kanë shkuar përtej sallës së gjyqit dhe kanë prekur mënyrën se si është paraqitur historia e Kosovës e kombit shqiptar. Ndryshimi i ligjit sot fatkeqësisht nuk e zhbën këtë dëm. Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk mund të identifikohet me këtë lloj të aktgjykimit dhe të gjykatës”, tha Nagavci në fjalën e saj në Kuvend.

Nga ana tjetër, në një konferencë për media të përbashkët me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, më 1 tetor, Kurti, duke cituar Kryetarin e Trupit Gjykues, Charles Smith, i cili krerët e UÇK-së i shpalli si “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, tha se UÇK-ja nuk ishte në gjyq.

“Dhomat e Specializuara theksuan qartë që Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk është në gjyq dhe se vendimi i tyre në asnjë mënyrë nuk synon të cenojë drejtësinë apo legjitimitetin e luftës çlirimtare”, tha Kurti.

Më 16 shtator, Gjykata Speciale dënoi ish-krerët e UÇK-së me 81 vjet burgim.

Ish-Presidenti Hashim Thaçi u dënua me 25 vjet burgim, ish-Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, me 25, ish-Kryetari tjetër i Kuvendit, Kadri Veseli, me 18, dhe ish-deputeti i VV-së, Rexhep Selimi, me 13.

Që nga dënimi i krerëve të UÇK-së, shqiptarët janë duke protestuar çdo ditë, duke kundërshtuar aktgjykimin.

Protesta janë mbajtur në Kosovë, në vendet e Bashkimit Evropian, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e madje edhe në Australi.