Lista Serbe kthehet sot në pushtetin komunal në katër komunat veriore. Seancat konstituive të kuvendeve komunale në këto komuna do të mbahen sot, ku kryetarët e rinj dhe përbërja kryesisht serbe e asamblistëve do të japin betimin dhe do të marrin detyrat.
Në krye të komunës së Mitrovicës së Veriut vjen Milan Radojevic, në Zveçan Dragisa Milovic, në Zubin Potok Milos Perovic, ndërsa në Leposaviq Zoran Todic. Të gjithë janë nga Lista Serbe.
Në të njëjtën kohë, seancat konstituive mbahen edhe në komunat tjera me shumicë serbe: Graçanicë, Shtërpcë, Novo Bërdë, Partesh dhe Ranillug.
Lista Serbe kthehet në pushtetin komunal në veri pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të vitit 2023, të cilat atëkohë popullsia shumicë serbe i bojkotoi – dhe në krye të komunave erdhën kryetarë shqiptarë, dy nga Vetëvendosje dhe dy nga Partia Demokratike e Kosovës.
Lista Serbe është kthyer edhe në Kuvendin e Kosovës, pas largimit të saj në nëntor 2022.
Ajo ka aplikuar edhe për zgjedhjet e 28 dhjetorit, ndonëse nuk u certifikua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Për këtë, pati reagim të ashpër nga Ambasada Amerikane, ambasada të tjera dhe Bashkimi Evropian – të cilët kritikuan fuqishëm vendimin.
Madje, amerikanët e përmendën me emër Vetëvendosjen si ndërmarrëse të këtij veprimi.









