Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë ka dorëzuar një denoncim në Prokurorinë Speciale lidhur me kontratën për ndriçimin publik “Smart”, për të cilën pretendojnë se ka pasur dëmtim të buxhetit të Komunës dhe keqpërdorime.

“Ka të bëjë me dorëzimin e një denoncimi pranë Prokurorisë Speciale së bashku me Ilir Kërçelin. Ka të bëjë me kontratën për ndriçim publik smart, ku ne jemi të bindur se ka prova dhe fakte të mjaftueshme që bëhet fjalë për një kontratë abuzive ku është dëmtuar buxheti i Komunës së Prishtinës”, ka thënë Shefi i Grupit të Asamblistëve të VV-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, Gëzim Sveçla.

“Siç e dini për ndriçimin publik janë dy kontrata, të cilat janë nënshkruar në një periudhë të ngushtë kohore. Kontrata e parë është e korrikut e vitit 2024, ndërsa kontrata tjetër e prillit të vitit 2025”.

“Mirëpo ndryshimi për pozicione të njëjta për punë të njëjta është aq i madh saqë na ka bë këtë kontratë ta hetojmë më në thellësi dhe të gjeturat tona i kemi dorëzuar pranë Prokurorisë Speciale”.

Ai theksoi se presin që Prokuroria ta zbardh çështjen deri në fund. “Nëse vërtetohen ato pretendime, të cilat kemi ngritur, që në vlerësimin tonë, janë mjaft të bazuara, atëherë personat përgjegjës duhet dhënë përgjegjësi”, tha Sveçla.

Deputeti nga radhët e VV-së, Ilir Kërçeli, ka thënë se në këtë kontratë ka diferenca të mëdha të çmimeve në krahasim me kontratën e parë.

“Në këtë kontratë ka diferenca të mëdha të çmimeve në krahasim me kontratën e parë të para 9 muajve, ka pozicione të cilat nga 90 euro pas 9 muajve janë rritur në 300 euro dhe pozicionet të tjera nga 50 euro në 250 euro në kontratën e re”, ka thënë ai para gazetarëve.

Është shumë e rëndësishme, ai theksoi që, Prokuroria Speciale, t’i hetojë këto dy kontrata “sepse Komuna e Prishtinës paraprakisht e ka pasur një para llogaritje se sa mund të jenë çmimet në treg”. “Sepse ka nënshkruar para 9 muajve para se ta nënshkruajë kontratën e madhe prej 10 milionë euro me një kompani tjetër, në të cilën ne kemi dyshimet se kompania e parë ka përfunduar punimet në kryeqytet mirëpo është faturuar kompania e cila ka fituar 10 milionë euro kontratën e ndriçimit smart”.

“Në të gjitha shtyllat në kryeqytet ju mund të shihni se aty janë stikersat e kompanisë, e cila ka fitu në tenderin e parë mirëpo është shpërblyer edhe një kontratë me 10 milionë euro”.

“Nëse nisemi nga këto deklarimet e kryetarit Rama se pari duhet ta kemi dashurinë për kryeqytetin pastaj vigjilencën se ku po shkojnë mjetet e kryeqytetit e pas kësaj duhet të sinjalizojmë parregullsitë për kryeqytetin dhe në fund normalisht se duhet të jetë edhe përgjegjësia për këdo që ka abuzuar me taksat e qytetarëve të kryeqytetit”.