Kandidati për deputet, Veton Berisha, ka publikuar një komunikatë për media në të cilën ngre dyshime për ndërhyrje në procesin zgjedhor nga ministri në detyrë, Elbert Krasniqi, bodigardi i tij Visar Vokshi dhe kryetari i degës së IRDK-së, Avdyl Berisha.
Sipas Berishës, të tre janë parë që nga ora 07:30 e mëngjesit në fshatin Brestovik të Komunës së Pejës, një zonë e banuar kryesisht nga komuniteti egjiptian. Ai pretendon se ata kanë qenë të pranishëm në këtë lokalitet duke përdorur edhe veturë zyrtare.
Në komunikatë thuhet se ekzistojnë dyshime se prania dhe veprimet e tyre mund të kenë ndikuar në procesin zgjedhor përmes presionit, ndikimit apo tentativës për të devijuar vullnetin e lirë të qytetarëve.
Berisha thekson se, duke qenë se Elbert Krasniqi dhe Avdyl Berisha janë kandidatë në këto zgjedhje, rasti duhet të trajtohet nga institucionet kompetente për të verifikuar nëse ka pasur shkelje të legjislacionit zgjedhor apo të heshtjes zgjedhore.
Ai ka publikuar edhe video të cilat pretendon se faktojnë denoncimin e tij.









