“Ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet në Kosovë, është edhe më e rëndë sesa ajo e Rusisë në Evropë”, ka thënë Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti. Ai i ka kërkuar Bashkimit Evropian që ta sanksionojë Beogradin zyrtar.

Këto komente, Kurti i bëri në mbledhjen e Qeverisë në detyrë të martën, ku foli për ndërhyrjet që Serbia është duke i bërë në zgjedhjet lokale të Kosovës, që do të mbahen më 12 tetor.

“Premtimet për vende pune, joshja përmes përfitimit të mbështetjes financiare, kushtëzimi dhe shantazhi me beneficione sociale në deklarimet e zyrtarëve shtetërorë të Serbisë, se vetëm Lista Serbe e mbron Serbinë në Kosovë, siç bëri së fundmi ish-kryeministri i Serbisë, tash këshilltar i presidentit atje, Millosh Vuçeviç, e siç ka bërë edhe vetë presidenti i Serbisë, Vuçiç, janë metoda të përsëritura të ndërhyrjes së Serbisë në procesin zgjedhor në Kosovë”, tha Kurti.

Misioni për vëzhgimin e zgjedhjeve i Bashkimit Evropian në Zgjedhjet Parlamentare të 9 shkurtit 2025, ai pohoi se “kishte evidentuar ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhjet tona”.

“Ndërhyrjet në zgjedhjet e shteteve të tjera janë forma të cenimit të demokracisë dhe sovranitetit të atij shteti. Në gjithë këto, Serbia nuk ka pasur asnjë pasojë nga Bashkimi Evropian, andaj Serbia nuk ndryshon sjellje”, shtoi.

Në këtë drejtim, kryeministri i ka bërë thirrje BE-së “që ta dënojë ndërhyrjen e Beogradit zyrtar në zgjedhjet demokratike në Kosovë dhe të sanksionojë Serbinë, shtet ky kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian për veprimet të cilat bien ndesh me parimet e fqinjësisë së mirë dhe shkelin Marrëveshjen Bazë të Brukselit”.