Organizata e Veteranëve të dalur nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë thënë se nuk janë ftuar në seancën solemne të Kuvendit të Kosovës për nder të përvjetorit të Epopesë së UÇK-së. Ata e kanë quajtur këtë veprim të “papranueshëm dhe thellësisht fyes”.
“Pikërisht ata burra e gra që me pushkë në dorë ngritën dhe mbrojtën idealin e lirisë, ata që sakrifikuan gjithçka për këtë shtet, sot u lanë jashtë një ceremonie që i kushtohet historisë dhe sakrificës së tyre. Kjo nuk është vetëm një neglizhencë institucionale, por një shpërfillje e drejtpërdrejtë ndaj luftëtarëve, familjeve të dëshmorëve, invalidëve dhe gjithë atyre që bartën mbi supe barrën e luftës për liri”, thuhet në reagimin e OVL-së.
Është paradoksale, sipas tyre, “që të flitet për lavdinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës brenda sallës së Kuvendit, ndërsa jashtë saj të lihen pikërisht njerëzit që e krijuan atë histori me gjakun dhe sakrificën e tyre”.
“Kategoritë e dala nga lufta nuk kërkojnë privilegje, por respektin institucional që u takon. Historia e luftës çlirimtare nuk mund të kujtohet duke përjashtuar ata që e bënë atë histori”, potencojë ata.









