Qeveria e Kosovës, e përfaqësuar nga Ministrja në detyrë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, kanë vendosur disa tabela të rrugëve në Mitrovicë të Veriut. Njëra prej tabelave mban emrin e ish-Kryeministrit të Serbisë, Zoran Gjingjiç.
Tabela për rrugën e kundërt, sipas pamjeve që ka publikuar “Kossev”, mban emrin e heroit kombëtar shqiptar, Isa Boletini.
Këto tabela janë vendosur në rrethrrotullimin në hyrje të Mitrovicës së Veriut.
Pacolli, që shihet duke mbajtur në dorë tabela në gjuhën serbe, ka thënë për Kossev se qytetarët e Mitrovicës së Veriut kanë qenë të njoftuar me këtë projekt.
“Banorët që jetojnë në Mitrovicë, këtu në Mitrovicën e Veriut, e njohin projektin. Ata kanë qenë të informuar. Kuvendi Komunal ka punuar për këtë vitin e kaluar, së bashku me qytetarët e Mitrovicës së Veriut”, deklaroi Pacolli.

Ajo ka theksuar se bëhet fjalë për shkrimtarë, aktorë dhe personalitete shumë të njohura serbe, të cilët, sipas saj, “njihen mirë jo vetëm në Serbi, por edhe në Kosovë, në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë”.
Pacolli potencoi se për këtë është njoftuar Komuna e Mitrovicës së Veriut, përfshirë edhe kryetari i saj, Milan Radojeviç.








