Ante Gotovina ishte pjesë e pandashme e jetës së kroateve gjatë viteve 2008 -2012.
Gjyqi ndaj tij dhe gjeneralëve të tjerë, në Tribunalin për ish Jugosllavinë, ku akuzoheshin për krime lufte – si ndërmarrje kriminale e përbashkët, ishte gjyq edhe për Kroacinë.
Populli u ngrit në këmbë me protesta gjithandej. E shteti në anën tjetër nuk e pati armë të vetëm mbështetjen financiare për mbrojtje.
Nga ajo që dihet, angazhimi i një kompanie lobimi në aspektin juridik dhe politik, vlerësohet të ketë pasur peshën e madhe në fundin e procesit. Gotovina e të tjerët u kthyen të lirë në atdhe dhe Ndërmarrja Kriminale e Përbashkët u rrëzua.
Por, çfarë bëri shteti i Kosovës për 5 vjet në gjykimin ndaj figurave të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po ashtu akuzohen si Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale?
Për fat të keq i braktisi, dhe me raste edhe punoi kundër tyre.
Në nëntor, kur edhe pritet të përfundojë procesi, bëhen 5 vjet prej se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u paraburgosën në Scheveningen të Hagës.
Që nga ajo kohë, shteti i qeverisur nga Albin Kurti nuk punoi në mbrojtjen e tyre – as juridikisht, as politikisht e as me diplomaci.
Më 15 nëntor 2020, Kurti, si opozitar, doli në një konferencë për shtyp për të reaguar – me 10 ditë vonesë – ndaj arrestimit dhe dërgimit në paraburgim të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Por gjithçka pas kësaj deklarate është histori tjetër.
Në mars të vitit 2021, Kurti u rikthye në Qeveri si Kryeministër.
Ajo që fliste për procesin në Hagë me kostum opozitari, u harrua për 5 vjet me indiferencën e pushtetarit.
Jo vetëm që nuk aktivizoi shtetin për ta, por as nuk i vizitoi.
Në realitet, formulari është 6 faqe. Por, me gjasë, edhe kaq janë shumë për një Kryeministër me rezultate të dobëta, e që fshihet pas burokracisë kur bëhet fjalë për drejtësinë e atyre që luftuan për çlirimin dhe pavarësimin e vendit.
E në një rast tjetër, Kryeministri zgjodhi të bëjë dallime, kur përmes ekranit çoi një përshëndetje në Hagë vetëm për bashkë-partiakun e tij, Rexhep Selimi.
Në vend se të merrej me narrativen e rrezikshme të aktakuzës – që shtrembëron historinë, si dhe me devijimet juridike të gjykatës, Kryeministri Albin Kurti tentoi të krijojë njëfarë tregimi përçarës se avokatët mbrojtës në Hagë po punojnë të ndarë e pa koordinim, sikur secili po kujdeset për klientin e vet e jo për krejt rastin në gjykim.
Por faktet flasin ndryshe. Janë me dhjetëra shkresa e ankesa të përbashkëta të tyre ndaj Prokurorisë dhe Panelit të Gjyqtarëve.
E përbashkët është edhe kjo letër e prillit 2023, drejtuar Ministrisë së Drejtësisë, ku avokatët shprehin shqetësime për nismën qeveritare që të kufizohen fondet, duke thënë se ky akt rrezikon mbrojtjen efikase.
“…Tavanet në tarifat e avokatëve dhe shpenzimet e tjera të prezantuara rishtazi në Udhëzimin Administrativ Nr. 08/2022 nuk reflektojnë kostot aktuale që mbrojtja pëson në këto raste. Për rrjedhojë, mundësia që katër të akuzuarit të realizojnë një mbrojtje efikase dhe efektive është në rrezik”, thonë ata.
Qeveria nuk e dëgjoi këtë thirrje, dhe ministria e udhëhequr nga shumë e dëgjueshmja e Kurtit, Albulena Haxhiu, vendosi kufizime duke fshirë nenin që lejonte rritjen e fondeve në raste të caktuara.
Pak kohë pas kësaj, avokati i ish-presidentit Thaçi, amerikani Gregory Kehoe, u largua për mungesë fondesh. E njëjtë edhe avokati i Kadri Veselit, Ben Emmerson.
Në të vërtetë, edhe mbështetja financiare, me të cilën Qeveria Kurti mburret shpesh, nuk është rezultat i saj, por një punë e rregulluar me ligj nga qeveritë e kaluara.
Kur Paneli i Gjyqtarëve refuzoi disa herë mbrojtjen në liri për krerët e UÇK-së, justifikoi vendimin me njëfarë argumenti se ata kanë në Kosovë “autoritet politik e popullor”.
E në vend që të kundërshtonte këtë logjikë politike nga një institucion i drejtësisë, apo edhe të dërgonte letër garantuese për mbrojtje në liri, Kurti u rreshtua në të njëjtën vijë.
Një deklaratë e papërgjegjshme dhe e dëmshme, që ushqeu narrativen e Prokurorisë dhe forcoi arsyetimin për mohimin e mbrojtjes në liri. Aq më tepër që vjen nga kreu i Qeverisë, që duhej të mbronte të drejtat e qytetarëve të tij – e jo të përpiqet t’i luftojë e diskreditojë ata.
Në qershor të vitit 2022, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, pas një vizite në Hagë, foli për mundësinë e ngritjes së një mekanizmi mbikëqyrës për Gjykatën Speciale.
Kuvendi nuk ngriti kurrë një komision mbikëqyrës, nuk nxori as rezolutë, dhe as Qeveria nuk bëri përpjekje për angazhimin e ndonjë organizate ndërkombëtare për të monitoruar gjykimin. Nuk angazhoi kompani lobimi e as nuk shkroi letra drejtuar qeverive e institucioneve evropiane.
Këtë indiferencë të shtetit të Kosovës e shpalosi vitin e kaluar në Kuvendin e Kosovës edhe Kryeministri shqiptar, Edi Rama.
Për dallim nga institucionet, populli megjithatë u ngrit në këmbë dy herë në marshime madhështore në mbrojtje të udhëheqësve të luftës.
Braktisja nga shteti nuk ndodhi nga paaftësia – por nga mungesa e vullnetit. Nga një qasje politike e ftohtë, që i pa këta burra jo si kontribuues të lirisë, por si kundërshtarë politikë për t’u braktisur e jo për t’u mbrojtur.








