Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka kërkuar nga vendet perëndimore që të reagojnë ndaj Serbisë, pasi që xhandarmëria serbe plagosi dhe rrëmbeu një shtetas kosovar, i nacionalitetit serb, brenda territorit të Kosovës.

“Bota demokratike duhet të reagojë e të ndalë këto sulme të Serbisë që kanë për qëllim rrezikimin e paqes e stabilitetit në rajonin tonë”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Ndërkaq, e para vendit theksoi se skena politike në Kosovë “duhet të veprojë e flasë në një zë në mbrojtjen e Kosovës nga tendenca të tilla”.

Plagosja dhe rrëmbimi i qytetarit nga Serbia, Osmani potencoi se është “një dëshmi shtesë e qasjes së saj hegjemoniste, ku çdo qytetar që guxon të flasë të vërtetën rreth regjimit autokratik të Vuçiç-it, sulmohet dhe torturohet në mënyrën më barbare të mundshme”.

Reagim nga ndërkombëtarët për këtë rast ka kërkuar edhe Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Është koha e fundit që faktori ndërkombëtar të reagojë me veprime të qarta dhe ndëshkuese ndaj Serbisë, në mënyrë që këto akte armiqësore të mos përsëriten më kurrë”, shkroi Sveçla në Facebook.

Rasti i plagosjes dhe rrëmbimit të shtetasit kosovar brenda territorit të Kosovës, Sveçla theksoi se “është një akt i përsëritur dhe i pandëshkuar”. “Dy vite më parë pjesëtarë të njësive speciale të Serbisë hynë brenda territorit tonë dhe kidnapuan tre pjesëtarë të policisë sonë, pas kësaj, ndodhi sulmi terrorist në Banjskë”.

Në anën tjetër, ai pohoi se është e vazhdueshme “politika e terrorit dhe dhunës që ajo ushtron në vazhdimësi me figurat që nuk pajtohen me politikat agresore të Aleksandër Vuçiç-it”.

“Kjo qasje agresive dhe provokuese e Serbisë është e papranueshme. Ajo përbën shkelje të rëndë të kufijve tanë shtetërorë dhe të të drejtave të qytetarëve tanë”, shtoi.