Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur për Serbinë dhe raportin e saj me Bashkimin Evropian, duke e lidhur këtë edhe me rastin e Ratko Mlladiçit, të cilin e cilësoi si “kasapin e Ballkanit”.
Rama kritikoi vendimin për përcjelljen e Mlladiçit me homazhe shtetërore drejt banesës së fundit.
“S’mund të bësh funeral shtetëror për një kasap”, tha Rama.
Ai argumentoi se Serbia nuk duhet të izolohet, por të mbahet në tryezën evropiane, ku mund t’i kërkohet llogari dhe t’i bëhen të qarta standardet që duhet t’i përmbushë.
“Serbia është një lloj kafshe shumë interesante dhe e çuditshme në xhunglën e Ballkanit Perëndimor. Çfarë është më mirë? Ta kesh në tryezë dhe t’i thuash: ‘S’mund të bësh funeral shtetëror për një kasap’, apo ta lësh aty, në ujëra të pasigurta, dhe të krijojë një situatë skizofrenike mes Evropës, Kinës, Amerikës dhe Rusisë?”, u shpreh Rama.
Në këtë linjë, Rama tha se vendet kandidate për anëtarësim duhet të afrohen gradualisht me strukturat e BE-së, ndërsa përmbushin kriteret dhe përballen me kërkesat politike të vendeve anëtare.
“Kjo është qasja ime dhe duhet të ndodhë tani”, përfundoi Rama.









