Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u ka bërë thirrje ndërkombëtarëve që të marrin masa për ndërhyrjet e Serbisë në zgjedhje lokale të Kosovës.
Këto komente, Osmani i ka bërë pasi që ka votuar në qendrën e saj të votimit te Fakulteti Teknik.
“Vazhdimisht Serbia ka ndërhyrë në proceset tona zgjedhore në Kosovë, ne natyrshëm që me institucionet tona të sigurisë do të bëjmë çmos që të gjithë qytetarëve, përfshirë atyre në Veri, t’iu garantohet e drejta e lirisë në votë”, tha Osmani, pasi që u pyet për votimin e organizuar të serbëve në Mitrovicë të Veriut.
“Megjithatë, shpresoj që pas raportuesit të Parlamentit Evropian për Kosovën të kemi edhe më shumë institucione ndërkombëtare, më shumë përfaqësues ndërkombëtar që do të reagojnë dhe do të ndërmarrin masa për këto shkelje flagrante të së drejtës ndërkombëtare nga ana e Serbisë, që përfshijnë edhe ndërhyrjen e drejtpërdrejtë në procese zgjedhore të një shteti tjetër dhe në këtë rast Republikës së Kosovës, duke shfrytëzuar metoda të ndryshme, duke përfshirë edhe metoda kriminale për këto ndërhyrje”, shtoi.
Pavarësisht të gjitha këtyre, e para vendit u shpreh e bindur “që institucionet tona do të bëjnë çmos që të ruhet integriteti i procesit zgjedhor”.









