Pushteti i Vetëvendosjes është përfshirë sërish në shkelje brutale për njërën prej pozitave më të rëndësishme në aparatin shtetëror, atë të drejtorit të Thesarit të Kosovës.
Nga fillimi e deri në fund, procesi ku të involuar ishin që nga kryeministri Kurti, Ministria e Financave e Hekuran Muratit e deri familjarja e presidentes Vjosa Osmani, doli të jetë i kundërligjshëm e i kontaminuar.
Fillimisht, më 21 mars të këtij viti ishte shpallur konkursi për drejtor të Thesarit nga Ministria e Financave – dhe kjo përbën shkeljen e parë.
Sipas konstatimit të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil, dikasteri i udhëhequr nga Hekuran Murati nuk kishte asnjë kompetencë ta bënte këtë veprim.
Thesari, si Agjenci Ekzekutive me mbi 50 punëtorë e me drejtori të burimeve njerëzore, do të duhej ta bënte vetë këtë. Përzierja e Ministrisë së Financave këtu nuk dihet pse ndodhi. Shkelja e parë: Ligji për Procedurën e Përgjithshme Administrative.
Për çudi, procesi vazhdoi edhe pse gjithçka brenda tij ishte abuzim me ligjin. Këtu u përfshi edhe hiç më pak se kryeministri Albin Kurti.
Më 29 maj të këtij viti, ai caktoi një Komision “Ad-Hoc” për vlerësimin profesional të kandidatëve për drejtor të Thesarit. Në përbërje të tij ishte edhe sekretarja e Ministrisë së Bujqësisë, Venera Çerkini, e njohur për raportet familjare që ka me presidenten Vjosa Osmani.
Ky veprim i Kurtit doli të jetë shkelje. Kjo ngase në Komision do të duhej të ishte edhe udhëheqësi i Njësisë Përgjegjëse të Thesarit – por, pa ndonjë arsyetim, ai u përjashtua.
Nuk ndalet me kaq. Në listë të ngushtë, Komisioni ilegal i formuar nga Kurti përzgjodhi kandidatë që nuk plotësojnë as kriteret bazike.
Për pasojë të të gjitha këtyre veprimeve, konkursi u anulua dhe Thesari mbeti pa drejtor funksional.
Një konkurs për drejtor u shndërrua në paradë të preferencave politike, me ligjin që mbeti si opsion dhe asnjëherë si obligim për t’u respektuar.








