Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka deklaruar për VOX Kosova se ndërhyrja e kryeministrit në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, në proceset zgjedhore të Maqedonisë së Veriut nuk i kontribuon unitetit kombëtar.

“Ndërhyrja që ka bërë zoti Kurti nuk i kontribuon unitetit kombëtar”, ka deklaruar Ahmeti kur u pyet për praninë e eksponentëve të Lëvizjes Vetëvendosje në tubime elektorale në Maqedoni të Veriut.

Tutje, i pari i BDI-së ka thënë se ai dhe partia e tij janë të interesuar që me Kosovën të kenë raporte të mira ndër-shtetërore që fokusohen në projekte të përbashkëta infrastrukturore, kulturore, të arsimit e shëndetësisë, ndërsa ka shtuar se në rrafshin e gjerë ai qëndron për paqe e siguri dhe jo për ndarje mes shqiptarëve.

“Të jemi kontribuues për paqen, stabilitetin, sigurinë, dhe jo për ndasi në mes të shqiptarëve”, ka deklaruar Ahmeti.

Ahmeti ka thënë se ai konsideron që ka pika ku mund të punohet bashkë por se vlerëson që ky bashkëpunim varet nga vullneti i drejtuesve që angazhohen në Republikën e Kosovës.