Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë të hënën se çdo vend që bën tregti me Iranin do të përballet me një tarifë prej 25% për çfarëdo tregtimi me SHBA-në, si një përgjigje e administratës Trump për situatën aktuale në Iran – vendin që po sheh protestat më të mëdha kundër qeverisë.

“Në fuqi menjëherë, cilido vend që bën tregti me Republikën Islamike të Iranit do të paguajë një tarifë 25% për çfarëdo biznesi që kryejnë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka shkruar Trump në një postim në Truth Social.

Irani, vend anëtar i Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës (OPEC), është sanksionuar nga SHBA-ja për vite me radhë. Eksportimet më të mëdha, Irani i kryen me Kinën, Turqinë, Irakun, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Indinë.

“Ky urdhër është final dhe përfundimtar”, deklaroi Trump pa dhënë detaje të tjera.

Nuk ka pasur ndonjë dokumentacion nga Shtëpia e Bardhë, as informacion mbi autoritetin ligjor që Trump do të përdorë për të imponuar taksat.