Gjykata Komerciale në Prishtinë ka pezulluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për daljen e detyrueshme të bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike.
Siç njoftohet, Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka kërkuar që ky proces të realizohet përmes një plani të qartë tranzicioni që do të siguronte stabilitet për ekonominë dhe qytetarët e vendit, duke i kërkuar ZRRE-së që të ndalë veprimet të cilat mund të ndikojnë negativisht në funksionimin e bizneseve.
Përfaqësues të bizneseve kishin protestuar dy herë në Prishtinë kundër këtij vendimi, i cili ka hyrë në fuqi më 1 qershor.
Sipas tyre, çmimi i energjisë në tregun e lirë ishte shumë më i lartë – madje disa herë më i kushtueshëm – krahasuar me tarifat e mëparshme.
Kompanitë që kishin mbi 50 punëtorë ose qarkullim mbi 10 milionë euro ishin të detyruara të furnizohen me energji nga tregu i lirë.









