Personit të arrestuar të enjten nga Policia e Kosovës në pikën kufitare në “Merdare”, me inicialet F.S, si i dyshuar për spiunazh, i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh nga Prokuroria Speciale.

Lajmi është bërë i ditur në një komunikatë të përbashkët për media të Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale.

Të arrestuarit iu është bastisur edhe shtëpia, ku i janë gjetur 39 mijë e 500 euro, 500 dinarë, katër telefona celularë dhe dokumente të ndryshme relevante për rastin.

Në njoftim theksohet se Prokuroria, brenda afatit të përcaktuar ligjor, do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

F.S, shtetas i Kosovës, u arrestua mëngjesin e së enjtes nga Policia e Kosovës.

Arrestimi u bë me urdhër të Prokurorisë Speciale të Kosovës, nga hetuesit policorë të Drejtorisë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda.