Si “çnjerëzore” e ka konsideruar deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, kërkesën e Prokurorisë së Gjykatës Speciale për t’i ndaluar ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, vizitën e 14 personave, përfshirë vëllezërit e tij.
“Kjo është një masë në kuadër të padrejtësive që Prokuroria i ka bërë ndaj krerëve të UÇK-së”, ka thënë Behrami në një deklaratë për VOX Kosova.
Ajo që po ndodh atje, ai vlerëson se “nuk ka ndodhur as në burgjet e Serbisë”. “Të burgosurit politikë kanë pasur të drejtën e vizitave familjare”.
“Krerët e UÇK-së dhe Presidenti Thaçi po trajtohen si njerëz tashmë të dënuar, të cilët duhet të izolohen nga ngjarjet politike dhe nga gjithçka që ndodh në Kosovë”, potencoi ai.
Ai pohon se këto masa janë “tepër shqetësuese”, pasi vijnë në një kohë, kur procesi i gjykimit po i afrohet fundit. “Mbi të gjitha, këto janë shkelje masive të të drejtave të njeriut”.
“Fillimisht Presidentin Thaçi e ndanë nga populli i tij dhe tani po mundohet që ta ndajnë edhe nga familja e tij, kjo është e papranueshme”, deklaroi deputeti i PDK-së.








