Procesi i numërimit të votave për Komunën e Mitrovicës së Jugut është ndërprerë, për shkak të dyshimeve mbi fletëvotimet ku nuk përputhen numrat serikë të tyre me qendrën e votimit.

Në vendin e ngjarjes janë parë zyrtarë të policisë dhe bëhet e ditur se për rastin është njoftuar edhe Prokuroria.

Në videot e dërguara në redaksinë e VOX-it, shihen disa fletëvotime problematike dhe mospërputhje të numrave serikë. 

Ajo që e ka bërë edhe më të dyshimtë këtë situatë është numri dukshëm më i madh i votave në Mitrovicë krahasuar me raundin e parë – diçka që nuk është vërejtur në komunat e tjera.

Ky dallim i numrave ka ngritur shqetësime për atë që njihet si “treni bullgar” – praktikë ku një fletëvotim nxirret jashtë dhe më pas futet sërish në kutinë e votimit nga një votues tjetër, duke u përsëritur kjo skemë vazhdimisht.

Për një javë me radhë, madje edhe ditën e zgjedhjeve, kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti ka qëndruar disa herë në Mitrovicë. Nga opinionistë dhe parti opozitare janë shprehur shqetësime për presione të mëdha gjatë procesit zgjedhor nga Kurti dhe qeveria e tij.