Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, ka konfirmuar nisjen e nisjen e “tranzicionit gradual të pranisë” së tij të përhershme nga ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, duke thënë se ky proces do të jetë “grudual” dhe “në varësi të kushteve”.

KFOR, në një përgjigje për Radio Evropa e Lirë, ka thënë se ky hap është duke u ndërmarrë në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë.

“Misioni KFOR, i udhëhequr nga NATO-ja, ka filluar tranzicionin gradual të pranisë së përhershme të KFOR-it nga ura kryesore në Mitrovicë. Në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, kjo është pjesë e procesit për optimizimin e pozicionimit të KFOR-it”, ka thënë KFOR.

Misioni paqëruajtës i NATO-s në Kosovë ka theksuar se ky proces “do të jetë gradual, në varësi të kushteve dhe po koordinohet ngushtë me të gjithë aktorët relevantë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të organizatave ndërkombëtare, si dhe me përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”.

Për këtë proces, KFOR ka thënë se “Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjenerali Millan Mojsilloviç, është informuar rregullisht për këtë proces”.

Nga KFOR kanë siguruar se personeli i tij “është i pozicionuar mirë për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi relevant, në përputhje me mandatin e kahershëm të KFOR-it nga OKB-ja”.

“KFOR-i do të mbajë një prani të dukshme në jug dhe në Veri të Mitrovicës dhe në Veri të Kosovës, duke vazhduar kontributin e tij për ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjitha komunitetet”.

Të hënën po ashtu, KFOR njoftoi edhe se ka filluar “integrimin gradual të Policisë së Kosovës në arkitekturën e sigurisë së KFOR-it në Manastirin e Deçanit”.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë në vitit 1999, ura mbi lumin Ibër është ruajtur vazhdimisht nga KFOR-i.

Ura mbi lumin Ibër është e hapur vetëm për këmbësorë, por jo edhe për makina. Qeveria e drejtuar nga Albin Kurti kishte paralajmëruar hapjen e saj për qarkullimin e automjeteve në verën e vitit 2024, por që nuk kishte ndodhur. Madje, kjo nismë, ishte kundërshtuar edhe nga bashkësia ndërkombëtare.