Disa qytetarë do të kalojnë natën e së martës në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë, për të pritur verdiktin që do të jap Trupi Gjykues në Gjykatën Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në mëngjesin e së mërkurës.
Kështu ka njoftuar përmes një postimi në Facebook, Çlirim Haziri, djali i heroit të kombit, Xhavit Haziri.
“Sonte, do ta kaloj natën ne Sheshin “Skënderbeu” ne Prishtine, për të pritur mëngjesin e verdiktit për çlirimtaret në Hagë. Si djali i Xhavit Hazirit, pritjen e njoh mirë. Jam rritur me të. Unë dhe familja ime presim edhe sot e kësaj dite”, shkroi Haziri.
Ai theksoi se do që natën ta kalojë në shesh, në pritje të verdiktit të 16 shtatorit, “në qetësi dhe besimplotë me shpresën se kjo është ndër pritjet tona të fundit si popull”.
“Do te doja që këtë natë të mos e kalojmë secili veçmas, por bashkë si qytetarë, si vellezër e motra që na bashkon lufta e drejtë e UÇK-së. Te rrimë bashkë sonte dhe ta zbardhim mëngjesin në shesh, në pritje të lirisë për çlirimtarët tanë”.
Haziri thekson se vendimi i 16 shtatorit nuk e prek vetëm fatin e njerëzve tanë në Hagë, por edhe “historinë e UÇK-së dhe të Kosovës”. “Prandaj, dua dhe shpresoj qe te jemi bashke”.
“Nëse dikush dëshiron të më bashkohet, është më shumë se i mirëseardhur. Ndonjëri me një batanije, tjetri me një kitare, një tjetër me një çaj të nxehtë, por të gjithë me zemër dhe me shpresë për drejtësi. Sonte, mjafton të jemi aty. Të presim bashkë”.
Sepse, UÇK-ja, thekson ai, “ishte e popullit dhe populli është i UÇK-së”.
Thirrjes së tij i janë bashkuar një numër i konsiderueshëm i qytetarëve.
Të mërkurën e 16 shtatorit, nga ora 10:00, Trupi Gjykues në Gjykatën Speciale do të shpall aktgjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Krerët e UÇK-së gjenden në qendrën e paraburgimit që nga 5 nëntori i vitit 2020.
Prokuroria e Speciales i akuzon ata për krime të pretenduara lufte dhe ka kërkuar nga 45 vjet burgim për secilin.
Nga ana tjetër, të katër të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.









