Prokuroria e Gjykatës Speciale, pretendon se ish-ndihmëssekretari amerikan i shtetit, James Rubin, ish-Komandanti i NATO-s, Wesley Clark, dhe ndërkombëtarët e tjerë që dëshmuan si dëshmitarë të mbrojtjes në gjyqin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ishin mashtruar nga Hashim Thaçi, ish-drejtor i Drejtorisë Politike të UÇK-së.

Madje, Prokuroria ka vënë në dyshim edhe motivet e tyre për intervenim në Kosovë.

“Ajo që James Rubin, Wesley Clark, dhe disa nga ndërkombëtarët e tjerë nuk e kuptojnë është se gatishmëria e Thaçit për të mbuluar atë që po ndodhte ndikoi në aftësinë e tyre për ta kuptuar realisht se si funksiononte UÇK-ja”, tha Prokurori Matt Halling.

Prokurori Halling pretendoi se Rubin dhe Clark “në veçanti u treguan se nuk kishin asnjë interes për ta kuptuar vërtet këtë”.

“Duke besuar se puna e tyre ishte në anën e duhur të historisë pa u ballafaquar me atë që ky trup gjykues tani është i thirrur të vendosë. Përfundimet e tyre gjithashtu nuk ishin të përafruara me standardin juridik ndërkombëtar të kontrollit efektiv”, theksoi ai ndër të tjera.

“Komandanti i identifikuar i përgjithshëm i UÇK-së”, sipas tij, “mund të mos ketë qenë në gjendje të ushtronte komandë mbi ushtritë e Shteteve të Bashkuara apo të NATO-s”. Por, ai pretendon se “as nuk kishte nevojë ta bënte këtë”.