Lëvizja Vetëvendosje u përpoq mbrëmë, përmes një komunikate të lëshuar në orët e vona, të kritikojë Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, se nuk ka bërë asgjë për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në procesin e cilësuar si të padrejtë në Hagë.

“Në anën tjetër, institucionet e Shqipërisë si shtet anëtar i OKB-së, i Këshillit të Evropës, i OSBE-së, i NATO-s e shumë pranë Bashkimit Evropian, kanë përgjegjësi dhe mundësi që këtë çështje ta ngrejnë në këto forume ndërkombëtare, aty ku flitet e vendoset për drejtësi, e jo në sheshin ‘Skënderbe’ në Tiranë”, thuhet në komunikatën e VV-së.

Në Tiranë, nesër mbahet një protestë gjithëkombëtare në mbrojtje të krerëve të UÇK-së dhe Edi Rama do të jetë aty.

Por, ajo që Vetëvendosje përpiqet të lërë të nënkuptohet – sikur Shqipëria nuk i ka shfrytëzuar këto forume ndërkombëtare, nuk qëndron.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka ngritur çështjen e Gjykatës Speciale dhe absurditetin e ngritjes së saj, si dhe të akuzave të prodhuara, në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe në Këshillin e Evropës.

Në një fjalim të tij në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, më 24 shtator 2022, Rama kishte folur për disa minuta para liderëve botërorë për Hagën dhe gjykimin ndaj UÇK-së:

“Zoti Marty duhej të ishte paguar si tregimtar, por kurrsesi nuk duhej t’i besohej si raportues i Këshillit të Evropës. Raporti i tij ishte tronditës, dhe jo vetëm që shumë e besuan atë në atë kohë, por ai u bë faktori kyç që forcoi idenë dhe themeloi Dhomat e Specializuara të Kosovës. Ai raport u kthye në një nga rastet më të rënda të shtrembërimit të realitetit — një manifest propagandistik botëror kundër pavarësisë së Kosovës.”

Rama theksoi se hetimet për trafikim organesh nuk kishin nxjerrë asnjë provë në më shumë se një dekadë hetimesh:

“Gjatë këtyre 11 viteve të gjata janë bërë të gjitha përpjekjet hetimore, kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare, për të provuar këto akuza — pa asnjë rezultat. Asnjë fakt, asnjë provë, asnjë fije dëshmie nuk është gjetur askund në Kosovë apo gjetkë që të lidhet me trafikimin e pretenduar të organeve.”

Ai kujtoi se ish-presidenti Hashim Thaçi ishte arrestuar pa aktakuzë dhe mbajtur një vit në paraburgim.

“Tani, imagjinoni për një çast: presidentin apo kryeministrin tuaj, të merret nga zyra, të dërgohet në një vend të tretë, dhe të mbahet një vit të tërë në paraburgim pa asnjë aktakuzë formale.”

Rama kishte përmbyllur fjalimin duke e quajtur këtë proces një “dështim monumental të politikës ndërkombëtare”.

““Dhe çfarë ndodhi më pas? Në asnjë pjesë të aktakuzës që u ngrit më vonë, nuk përmendet asgjë nga raporti i Këshillit të Evropës për të ashtuquajturin krim të trafikimit me organe — një fantazi e plotë. A nuk është kjo një dështim monumental i politikës ndërkombëtare?”, tha ai.

Por kjo nuk ishte hera e vetme kur ai foli për procesin në Hagë.

Kryeministri i Shqipërisë ndërmori edhe një nismë në Kuvendin e Shqipërisë, duke propozuar në Këshillin e Evropës një rezolutë përcjellëse që konstaton se nga raporti i ish-senatorit Dick Marty nuk është gjetur asgjë për trafikim organesh.

Për më shumë se një orë takim, në atë seancë Rama mbajti një fjalim të gjatë për padrejtësinë që prodhoi ai raport dhe për nevojën e miratimit të rezolutës.

“Një udhëheqës i zgjedhur për ndërtimin e paqes u shndërrua në kriminel lufte. Lufta heroike e njerëzve të thjeshtë, nën flamurin e Ushtrisë Çlirimtare, u shndërrua në një histori të zymtë trafiku organesh. Kërkimi i një kombi për dinjitet u shtyp me akuza turpëruese. Kështu, drejtësia ndërkombëtare u zëvendësua nga hipokrizia ndërkombëtare”, kishte thënë Rama.

Përveç këtyre, Rama ka qenë aktiv edhe në platforma të tjera ndërkombëtare, duke i dhënë jehonë padrejtësisë së procesit në Hagë. Ai ka vizituar Dhomat e Specializuara në Hagë dhe familjen e ish-presidentit Hashim Thaçi.

Në të kundërt, kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti, nuk ka folur pothuajse asnjëherë publikisht për këtë proces, as në forume vendore e as ndërkombëtare.

Ai as nuk ka bërë vizitë në Hagë, duke u arsyetuar se “ka shumë formularë për të plotësuar” – edhe pse formulari për vizitë ka vetëm gjashtë faqe.

Për më tepër, sa herë që janë mbajtur protesta madhështore në mbrojtje të krerëve të UÇK-së, në Kosovë dhe në Hagë, eksponentë të Vetëvendosjes janë munduar t’i sulmojnë ata që i kanë organizuar apo mbështetur ato. E njëjtë po ndodh edhe me protestën në Tiranë.