Ekspozita që pretendon të dokumentojë të vërtetën historike për masakrat në Kosovë, ka dështuar pikërisht aty ku s’duhej kurrë të gabonte, te e vërteta.
Rasti i masakrës së Burgut të Dubravës është shembulli më i rëndë i këtij devijimi.
Në këtë ekspozitë, përveç pasaktësive në numrin e viktimave, paraqitet një narrativë problematike që lë të kuptohet se viktimat kanë qenë “të armatosur”.
Forcat serbe vranë 106 veta, thuhet aty, përderisa deri tash janë të konfirmuar 117 viktima e 1 i zhdukur. Pra, jepet numër i gabuar i të vrarëve.
Tutje, akoma më e rëndë, aty thuhet se 48 figurojnë si persona të armatosur shqiptarë e 58 civilë të paarmatosur.
Kjo është jo vetëm e pasaktë, por thellësisht fyese.
Të burgosurit e Dubravës nuk ishin luftëtarë. Ata ishin njerëz të ndaluar, të pambrojtur, nën kontroll të plotë të forcave serbe, pa asnjë mundësi rezistence.
Ekspozita bazohet në librin me të njëjtin titull të shkruar nga Shkëlzen Gashi, ish-këshilltar i Kryeministrit Albin Kurti, që në kohën sa mbante këtë pozitë, po ashtu kishte bërë një deklaratë skandaloze për luftën e UÇK-së.
“Dick Marty e ka publiku një raport ku flitet për krimet që shqiptarët e Ushtrisë Çlirimtare i kanë kryer ndaj civilëve të pafajshëm”, deklaronte Gashi.
Ish-deputeti i VV-së, i mbijetuar i masakrës së Dubravës, ka ngritur pikëpyetje se kjo mund të jetë bërë qëllimshëm, duke kërkuar të korrigjohet ky gabim urgjentisht.
“Nuk e di nëse kjo është bërë me qëllim apo jo, por pretendimi se 48 prej të vrarëve kanë qenë persona të armatosur shqiptarë, ndërsa 58 civilë, është plotësisht i pavërtetë”, shkruan ndër të tjera Enver Dugolli.
Për Vox Kosova ka folur edhe Nait Hasani, i mbijetuar tjetër i Masakrës së Dubravës, që ka dy fjalë për Shkëlzen Gashin.
“Ai duhet me dalë me kërku falje për këto gabime apo këto shkelje, apo me tregu kush i ka shti me i thanë këto pasaktësi. Nuk ka pasë shqiptarë të armatosur në Burgun e Dubravës, ka pasur vetëm të burgosur”, deklaron Hasani.
Në vend që kjo ekspozitë të shërbejë si dëshmi e pastër e krimeve, ajo në këtë rast ka rrëshqitur në një formë relativizimi, duke krijuar mjegull.
Është e pabesueshme, por për librin e Shkëlzen Gashit Qeveria pati ndarë edhe fonde.
Ishte Ministria e Punëve të Jashtme që kishte dhënë 15 mijë euro për të blerë librin e Gashit e për ta shpërndarë nëpër botë.
Paramendojeni, fonde për një libër që, përveçse nuk dokumenton të vërtetën, e dëmton atë duke shpërndarë informacione krejtësisht të rreme për çështje jashtëzakonisht të ndjeshme të historisë së vonë të Kosovës.








