Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), ka njoftuar se ka miratuar një vendim të ri për përcaktimin e çmimit ditor maksimal të derivateve në Kosovë.
“Hyn në fuqi vendimi i ri për përcaktimin e çmimit ditor maksimal të derivateve në Republikën e Kosovës Prishtinë, 05/04/2026 Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka miratuar një vendim të ri për rregullimin e çmimeve të produkteve të naftës në tregun vendor, me qëllim rritjen e transparencës dhe parashikueshmërisë në formimin e çmimeve”, thuhet në njoftim të Ministrisë.
Nga MINTI kanë treguar edhe çmimet maksimale të lejuara te derivateve te dielën: Nafta (dizel): 1.86 euro/litër; Benzina: 1.49 euro/litër.
Vendimi i ri, theksuan ata, synon të sigurojë një qasje më të drejtë dhe të unifikuar në treg, “duke shmangur luhatjet e menjëhershme dhe të paarsyeshme të çmimeve në nivel të shitjes me pakicë”.
Nga Ministria pohuan se do të publikojnë çdo ditë, jo më vonë se ora 10:00, çmimin maksimal të lejuar për shitjen e derivateve në tregun vendor, i cili “do të bazohet në mesataren e importeve të përditësuara të 10 milion litrave për naftën (dizel) dhe 1 milion litrave për karburantet tjera”.
Ata kanë thënë se asnjë operator ekonomik nuk lejohet të tejkalojë çmimin maksimal ditor të publikuar.
“Ky vendim vjen si rezultat i analizës së vazhdueshme të tregut të derivateve, përmes të dhënave të importit dhe monitorimit të lëvizjeve të çmimeve në tregun ndërkombëtar, si dhe vlerësimeve të institucioneve mbikëqyrëse të tregut.”
Për zbatimin e këtij vendimi, siç thuhet aty, do të rritet mbikëqyrja në terren nga Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës dhe Administratën Tatimore të Kosovës, si dhe në koordinim me Autoritetin e Konkurrencës së Republikës së Kosovës.
MINTI u ka bërë thirrje të gjithë operatorëve ekonomikë që të zbatojnë me përpikëri vendimin e ri, “me qëllim garantimin e një tregu funksional, të qëndrueshëm dhe në shërbim të interesit të konsumatorit”.
Këto masa theksohet se nuk kanë për qëllim të dëmtojnë apo të sanksionojnë asnjë subjekt ekonomik. “Ato janë të hartuara për të siguruar barazi në treg, për të mbrojtur konsumatorin dhe për të reflektuar kujdes të shtuar në një periudhë të ndjeshme të luhatjeve dhe pasigurive në tregjet globale të derivateve të naftës”.
Shkeljet e këtij vendimi, siç thonë ata, do të trajtohen në përputhje me legjislacionin në fuqi.









