Albin Kurti, Kryeministër në detyrë i Kosovës, e vlerësoi Lidhjen Demokratike të Kosovës më pak se paritë e komuniteteve joshumicë, pasi që donte ta nënshtronte, ka thënë ish-Presidentja Vjosa Osmani, derisa ka bërë me dije se Kurti i ofroi LDK-së vetëm tri ministri dhe zëvendëskryeministrin dhe jo Kryetarin e Kuvendit.
Këto komente, Osmani i bëri në një intervistë për Kanal 10, derisa foli për bisedimet që janë zhvilluar në mes të LDK-së dhe Vetëvendosjes për formimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve të 7 qershorit, të cilat përfunduan pa ndonjë marrëveshje.
“Oferta e VV-së jo vetëm që nuk është serioze, nuk është as parimore, nuk është as e drejtë. E vlerëson LDK-në më pak, qoftë ajo në terma matematikor, apo edhe në terma politik, por e vlerëson LDK-në, nga aspekti i asaj që është ofruar, edhe më pak sesa partitë minoritare, partitë e komuniteteve joshumicë. E vlerëson LDK-në më pak se çdo parti tjetër shumë më të vogël që iu ka ofruar në të kaluarën. Dhe është dëshmuar partneritet të sinqertë. Nuk dojnë partneritet në mirëbesim”, deklaroi Osmani.
Kur nuk ka mirëbesim, Osmani, e cila ishte bartëse e listës së LDK-së në zgjedhjet e 7 qershorit, theksoi se “nuk ke çka flet më për numra, sepse për ne ajo ka qenë bazamenti i një marrëveshje me VV-në”.
“Pra, janë ofruar tri ministri… E di që thuhet në publik është ofruar edhe Kryeparlamentari, kjo nuk është e vërtetë. Kryeparlamentari do të ofrohej vetëm nëse nuk do të ishim fare në bashkëqeverisje. Pra, ka qenë ose ajo, ose kjo”, potencoi ajo.
Në një situatë të tillë, ku LDK-ja nuk do të udhëhiqte asnjërën nga tri institucionet shtetërore dhe ku do të ishte e përfaqësuar në Qeveri vetëm me tri ministri, sipas Osmanit, tregon që VV-ja s’ka pasur qëllim që të bashkëqeverisë me LDK-në, që t’i jap stabilitet vendit, “por ka pasë për qëllim që të nënshtrojë LDK-në, të poshtërojë LDK-në dhe jo ta shoh atë si partner”.









