21 mijë e 226 kg produkte të mishit dhe produkte të tjera ushqimore të kompanisë ELKOS janë asgjësuar nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë. Të njëjtat, siç bën me dije AUV, janë produkte si mish mule, mish i ngrirë, mish gjedhi, mushkëri, e produkte tjera ushqimore.
“Në zbatim të urdhëresës së Inspektoratit Veterinar të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) dhe në përputhje me Ligjin Nr. 08/L-120 për Ushqim, operatori ekonomik ELKOS SH.P.K. ka vazhduar procesin e gjurmueshmërisë dhe tërheqjes së produkteve ushqimore. Si rezultat, operatori ka tërhequr edhe 21,226 kg produkte ushqimore, të cilat janë asgjësuar më 30 tetor 2026, nën mbikëqyrjen e inspektorëve të AUV-së”, bëri të ditur AUV në komunikatë.
“Procesi i gjurmueshmërisë dhe grumbullimit të sasive të tjera po vazhdon, veçanërisht për produktet tek të cilat janë konstatuar ndryshime të cilësive organoleptike, përfshirë praninë e mykut. Produktet e identifikuara si të papërshtatshme për konsum do t’u nënshtrohen masave përkatëse të ndalimit të shitjes, tërheqjes dhe asgjësimit”, shton.
Vendimi nga AUV për tërheqjen e kësaj sasie të mishit të kompanisë në fjalë, vjen veç pak ditë pasi që ndaj së njëjtës dhe kompanisë tjetër “Apetit”, kishte marrë masa për tërheqje produktesh dhe asgjësim.









