Një rrugë që po ngushtohet në lagjen ku banon ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, është bërë shkak që ky ta kritikojë Përparim Ramën, kryetarin aktual të Prishtinës, përmes një statusi në Facebook.
Ngushtimin e rrugës “Ilir Konusheci”, te Xhamia e Llapit”, në Prishtinë, Isa Mustafa, ish-kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e ka quajtur “eksperiment” nga ata që e lënë Prishtinën për Londër pas tri vitesh.
“Udhëheqja e Prishtinës nuk ka të drejtë që në këto forma të eksperimentojë me qytetarët. Kam banuar aty mbi 60 vjet; këta që po bëjnë eksperimente, jetojnë edhe tre vjet në Prishtinë, i mbledhin plaçkat për Londër, ndërsa me fantazitë dhe papërgjegjësinë e tyre i lënë të bllokuar banorët”, shkroi Mustafa.
Përparim Rama, kryetari i Prishtinës në mandatin e tij të dytë, para se të vinte për të garuar për kryeqytetin nga radhët e LDK-së, kishte jetuar për vitet të tëra në Londër të Britanisë së Madhe.









