Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nuk është paraqitur të premten në seancën gjyqësore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku është i akuzuar për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në mars të vitit 2018.
Mospjesëmarrjen e tij, Sveçla e ka arsyetuar përmes një email-i që ia ka dërguar Gjykatës, ku i ka thënë se ndodhet jashtë shtetit.
Për dallim nga Sveçla, dy kolegët e tij nga Vetëvendosje, Salih Zyba dhe Fitore Pacolli, që kanë për të njëjtën akuzë, janë paraqitur në seancë.
Edhe në seancën e 31 tetorit, Sveçla, përkundër urdhëresës për ta sjellë me forcë, nuk ishte paraqitur në Gjykatë për këtë rast. Edhe atëherë, Zyba dhe Pacolli ishin paraqitur në Gjykatë.
Seanca e paraparë për t’u mbajtur më 31 tetor, kishte dështuar për shkak të mungesës së Sveçlës.
Sabit Sadikaj, gjyqtari i rastit, kishte thënë se nuk ka kushte për mbajtjen e seancës për shkak të mungesës së Sveçlës. Gjyqtari kishte theksuar se Sveçla e kishte arsyetuar me shkrim mungesën për të qenë prezent në seancë.
Në seancën fillestare për këtë rast, që ishte mbajtur më 26 mars 2024, të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.