Seanca e së enjtes është shtyrë nga Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, pasi që deputetët u vonuan më shumë se gjysmë ore për t’u kthyer nga pauza e cila ishte paraparë deri në ora 14:00.
Shumica e deputetëve që mungonin ishin të Lëvizjes Vetëvendosje. Vetëm dy prej tyre ishin në sallë, ndërsa pak më shumë kishte të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Haxhiu theksoi se nuk është serioze që deputetët të vonohen, prandaj edhe e shtyu seancën për të premten në ora 11:00.
“Seanca i vazhdon punimet nesër në orën 11:00. Nuk është serioze që edhe 30 minuta pas orës 14:00 deputetët nuk po vijnë. Unë nuk kam mundësi të funksionoj e të pres deri në pafundësi”, tha Haxhiu.
Në seancën e së enjtes u bënë vetëm deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare. Pikat e tjera të rendit të ditës që ishin paraparë për këtë seancë ishin edhe marrëveshjet ndërkombëtare, interpelanca me Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, mocioni për energjinë elektrike dhe Ligji për Gjykatën Speciale.









