Nëntë (9) anëtarë të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), të propozuar nga partitë politike parlamentare, kanë dhënë betimin para Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, të premten.

Në njoftimin e Presidencës thuhet se Osmani u uroi suksese anëtarëve të rinj, duke vlerësuar faktin se sistemi zgjedhor i Kosovës gjithmonë i ka kontribuar demokracisë në vend.

Në anën tjetër, thuhet se anëtarët e rinj të KQZ-së u betuan se do t’i kryejnë detyrat e tyre në mënyrë të ndershme, besnike, të paanshme, profesionale dhe të ndërgjegjshme.

KQZ-ja përbëhet nga 11 anëtarë. 10 prej tyre janë propozime të partive politike parlamentare dhe Kryetari. Gjashtë nga anëtarët emërohen pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare shqiptare, ndërsa një emërohet nga deputetët e komunitetit jo shumicë serb, dhe tre të tjerët nga deputetët e komuniteteve jo shumicë jo serbe.

Por, të premten Presidentja ka emëruar vetëm nëntë, për shkak se për një është duke e pritur Gjykatën Kushtetuese, të cilës i është drejtuar pasi që partitë kanë propozuar më shumë seç duhet.

Po “luftohet” për një vend në mes të Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Vetëvendosja i ka propozuar tre anëtarë, dy prej të cilëve janë emëruar, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës ka propozuar dy anëtarë – Ilir Gashin dhe Rashit Qalajn – vetëm i pari i është emëruar.

Duke pasur këto propozime, Osmani ka kërkuar udhëzime nga Kushtetuesja sesi të veprojë, pasi që VV po pretendon se i takojnë tre anëtarë, ndërsa PDK-ja dy.

Nga një anëtar i janë emëruar Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.