Është ndërprerë seanca e së martës ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), Nagip Krasniqit – i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare – për shkak të mungesës së dëshmitarit Skender Muqolli – udhëheqës i Departamentit të Tregut të Energjisë pranë Zyrës së Rregullatorit për Energji.
Kryetari i trupit gjykues, Arben Hoti, tha se për mosparaqitjen e tij, Muqolli e ka njoftuar Gjykatën përmes emailit se për arsye shëndetësore nuk mund të paraqitet në seancën gjyqësore.
Për këtë arsye, në mungesë të kushteve ligjore, seanca e së martës u ndërpre.
Ndryshe, më 3 korrik të këtij viti, në nisje të gjykimit për aktakuzën ndaj tij, Krasniqi, anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, ishte deklaruar i pafajshëm lidhur me akuzat e organit të akuzës.
Prokuroria Speciale e akuzon Krasniqin se ia ka mundësuar kompanisë sllovene “Holding Slovenske Elektrane” që të tregtojë energji elektrike në kundërshtim me ligjin, pra pa pasur licencë në Kosovë. Dëmi që i ka shkaktuar shtetit, sipas Prokurorisë, është 3.2 milionë euro.









