Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se qytetarët detyrohen që t’i blejnë vetë barnat përkundër buxhetit të shtuar.
Kjo, sipas tij, tregon që ka “paaftësi qeverisëse”, “keqmenaxhim” e “afera korruptive”.
“Ka shumë pika që janë evidentuar në raportin e progresit si mangësi të funksionimit institucional dhe si përgjithësi nga shumica ose nga qeveria, nga Lëvizja Vetëvendosje. Por ajo çka është për mua, mendoj, më e rëndësishmja, është mosfunksionimi i sistemit shëndetësor në Republikën e Kosovës, ku fillon nga parandalimi, por edhe ajo çka është më kritike, që qytetarët duhet vetë t’i blejnë barnat përkundër buxhetit të shtuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe nga Kuvendi i Kosovës”, tha Zemaj për Ekonomia Online.
“Kjo tregon që ka paaftësi qeverisëse, ka keqmenaxhim, afera korruptive dhe monopol mbi barnat e caktuara, që tash është më e njohur se ka edhe mafi farmaceutike edhe në nivel global, rajonal, por sidomos edhe në Kosovë, ku unë e kam ngritur në vazhdimësi këtë shqetësim dhe, fatkeqësisht, është evidentuar tash edhe në raportin e progresit për vitin 2025”.
Ai thotë se kanë pasur ankesa në vazhdimësi për mungesë të barnave nga lista esenciale “sidomos të sëmundjeve të rralla dhe ato që kanë kosto më të madhe të sëmundjeve kundër kancerit dhe barna të ndryshëm, por qoftë edhe ato që janë bazike esenciale nga fashat e deri te ato që janë më kryesoret”.
Kjo, thekson ai, “është fatkeqësi kur kemi buxhet më shumë dhe në anën tjetër kemi barna më pak”. “Qytetarët e Kosovës sipas statistikave, por edhe nga raporti i progresit më shumë se 40 për qind detyrohen që vetë t’i sigurojnë barnat dhe ato nuk mund të sigurohen në institucionet publike shëndetësore”.









