Albin Kurti, Kryeministër në detyrë i Kosovës, ka paralajmëruar se mund të takohet sërish me Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, për çështjen e Presidentit. Madje, edhe këtë të mërkurë.
Ndonëse gjashtë deputetë të LDK-së e bën të qartë se nuk do ta votojnë Bekim Sejdiun për President, Kurti tha se marrëveshja për këtë emër me LDK-në është ende valide.
“Flasim në Prishtinë për këto çështjet tjera. Këtu jemi për eficiencë të energjisë. Por, natyrisht, siç kam thënë mbrëmë, do të zhvillojmë edhe takime dhe mbledhje. Për neve marrëveshja politike është valide”, deklaroi Kurti për gazetarë pas ceremonisë së përurimit të implementimit të masave të efiçiencës së energjisë në një shkollë në Viti.
Kurti e la të hapur mundësinë që edhe këtë të mërkurë të takohet me Abdixhikun, pasi që tregoi se në mëngjes nuk ka ndodhur diçka e tillë. “Jo se në mëngjes u nisa për Viti”, potencoi ai.
Të hënë, Abdixhiku dhe Kurti prezantuan Sejdiun si kandidat të përbashkët për President.
Por, të martën, pasi që përfundoi mbledhja e Grupit Parlamentar të LDK-së, Abdixhiku njoftoi se gjashtë deputetë të kësaj partie – Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Janina Ymeri, Armend Zemaj e Kujtim Shala – e kanë bërë të qartë se nuk do ta votojnë Sejdiun për President.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca po ashtu kanë treguar se nuk do ta përkrahin kandidatin e VV-së dhe LDK-së.
Në këto rrethana, Bekim Sejdiu nuk mund të zgjidhet President.









