Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka dhënë shenja të forta se nuk i ka numrat për formimin e Qeverisë.
Në një tubim në Londër me diasporën, aktivitet i organizuar nga Ambasada e Kosovës, Kurti ka thënë se do të përpiqet ta bëjë Qeverinë – megjithëse ka shtuar se nuk është e lehtë. Për më tepër, ka thënë se alternativë janë edhe zgjedhjet e reja.
Çuditërisht, ai ka thënë se tash në skenën politike ka shumë xhelozi e inate.
“Do të përpiqemi maksimalisht që deri të dielën, më së largu – të hënën nuk mundemi me u përgatit. Sepse të hënën ose e kemi bërë Qeverinë, ose nuk e kemi bërë (qesh). Prandaj, në këto ditët e mbetura jemi duke komunikuar, jemi duke biseduar. Nuk është kollaj, se – s’di qysh me ua shpjegu – ndoshta e keni dëgjuar edhe ju vetë, është intoksikuar atmosfera shumë; ka shumë xhelozi e inate, e cinizëm shumë më shumë sesa ide, punë e pasion. Por jemi ku jemi dhe do të përpiqemi ta bëjmë Qeverinë. Siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë. Ose do ta bëjmë Qeverinë, ose shkojmë në zgjedhje prapë. Nuk po duket që opozita ka vullnet dhe as synim për Qeveri të tyre”, tha Albin Kurti në Londër.
Më herët, para konstituimit të Kuvendit, Kurti dhe zyrtarë të tjerë të partisë së tij thoshin se i kanë numrat.
Madje, në një moment, Kurti i kishte ftuar partitë opozitare t’ia votonin Albulena Haxhiun për Kryetare të Kuvendit “për ta sfiduar për numrat për Qeveri”.
Pas zgjedhjes së nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e serbëve, eksponentë të VV-së kishin deklaruar se i kanë numrat.
Më 26 tetor është afati i fundit kur Kurti duhet të tregojë nëse i ka numrat për formimin e Qeverisë.









