“Nuk mund të ju ofroj një përgjigje pa qenë skajshmërisht i informuar për këtë”, ka thënë Armend Muja, Kryetar i Degës së Vetëvendosjes në Mitrovicë, kur është pyetur nëse do ta përjashtojnë nga partia anëtarin Faruk Mujka, pasi që Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj tij.
“Une nuk kam ndonjë informacion në lidhje me rastin, as dokumentacion”, ka thënë Muja për VOX Kosova.
Mujka, i cili është edhe Kryeshef Ekzekutiv i Bordit të Ndërmarrjes Hidroekonomike “Ibër-Lepenci”, sipas Prokurorisë, akuzohet për veprat penale të “Keqpërdorimit të pozitës zyrtare” dhe “Mosraportimit ose raportimit të rremë të pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë materiale ose detyrimeve financiare”. Akuzat lidhen me kohën kur ai ka shërbyer si nënkryetar i komunës së Mitrovicës.
Organi i akuzës bëri të ditur se Mujka së bashku me Hysen Muzliukaj, ish-këshilltar i Faton Pecit, dyshohen se i kanë shkaktuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) dëm mbi 125 mijë euro.