Njomza Hasani, bashkëshortja e Edmond Hasanit, i cili u vra më 10 gusht në Gjilan, në një intervistë ekskluzive për VOX Kosova ka rrëfyer sesi ndodhi ngjarja tragjike ku iu vra burri dhe vjehrri Selamiu, nga të dyshuarit: Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij, të cilët ende janë në arrati.
“Familja Hasani e dinë që në muajin prill Bujar Hoxha ka bërë një kallëzim penal për vrasësit, në këtë rast Mefailin me djemtë e vetë për fajde, për detyrim edhe për kërcënim. Kaq ka qenë sa ka ditë familja Hasani rreth rastit që Bujari e ka pas me vrasësit. Takimi i asaj dite ka ardhur si insistim i vrasësve me taku dikë nga familja Hasani”, tha Hasani.
Sipas Hasanit, familja e saj nuk ka asnjë informacion se ku ndodhen tre të dyshuarit për vrasjen e burrit të saj dhe vjehrrit Selamiut.
“Jo, absolutisht nuk na kanë dhënë informacion as ku mund të ndodhen as ku mund të kenë ikur. Ne realisht në policinë e Kosovës akoma nuk na kanë thirrur as për deklaratë. Nuk na kanë dhënë informacione a gjenden në Serbi a gjenden në Kosovë apo ku gjenden”, shtoi.
Ajo ka treguar se ka vendosur të largohet nga Kosova përkohësisht, meqë thotë se mërzia për burrin që ia vranë është shumë e madhe.
“Jam larguar prej Kosovës për disa ditë sepse siç dihet për opinionin unë nuk ka pas shumë muaj që unë e Edmondi jemi kurorëzuar. Kemi qenë të përgatitur për plane tjera, për jetë tjetër, për gjithçka tjetër, ndodh një vrasës që ta shkatërron jetën”, përfundoi Hasani.