Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) ka reaguar ndaj deklaratave të ish-deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, i cili në emisionin “Debat Plus” në TV Dukagjini tha se MPB-ja u ka dhënë shtetësinë e Republikës së Kosovës dy personave nga komuniteti serb.
Përmes një komunikate, MPB-ja ka bërë të ditur se pretendimet e Haradinajt nuk qëndrojnë dhe se regjistrimi i shtetësisë së këtyre personave nuk ka asnjë lidhje me Ligjin e ri për Shtetësinë apo me procesin aktual të regjistrimit të fakteve të gjendjes civile.
Sipas ministrisë, Milovan Bojoviç është regjistruar për herë të parë në regjistrat përkatës në vitin 2007 dhe më herët kishte poseduar dokumente identifikuese të UNMIK-ut. Ai ka marrë letërnjoftimin e Republikës së Kosovës në vitin 2011.
Sa i përket Suzana Rankoviçit, ministria ka theksuar se ajo është qytetare e Republikës së Kosovës dhe se nuk është vajza apo mbesa e Aleksandër Rankoviçit, siç kishte pretenduar Haradinaj.
Sipas MPB-së, Rankoviç kishte poseduar letërnjoftim të UNMIK-ut që nga viti 2001, ndërsa në vitin 2015 e kishte konvertuar atë në letërnjoftim të Republikës së Kosovës.









