Një nderim në Prekaz për një rrugë të gjatë me motorë drejt Hagës, si marsh për drejtësi për krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Platforma “Liria ka Emër” do të nisë një udhëtim përmes disa vendeve të Evropës, duke bashkuar pas vetes motoristë nga mbarë kontinentit me destinacion përfundimtar Hagën.
“Është një marsh simbolik, një thirrje për drejtësi. Qëllimi është të mbërrijmë në Hagë, të bëjmë një parakalim motoristësh dhe të shkojmë në Bruksel me një mesazh të qartë për drejtësi”, tha Ismail Tasholli nga platforma Liria ka Emër.
Ndërsa Nasim Haradinaj theksoi se thirrja e tyre do të jetë për drejtësi dhe për përmbylljen sa më të shpejtë të procesit gjyqësor.
“Uroj që gjithçka të shkojë mirë. Është një rrugë e gjatë dhe koha tash është në minimumin e temperaturave. Ne duam ta bëjmë këtë një thirrje për drejtësi – që procesi të përfundojë drejt dhe sa më shpejt. Kjo drejtësi nuk po monitorohet si duhet. Nëse drejtësia është vlera kryesore, atëherë liderët tanë do të kthehen të pafajshëm – dhe kjo do të jetë fitore për ne dhe për Kosovën”, tha Haradinaj.
“Do të ndalemi në vendet e masakrave – në Poklek, Deçan, Gllogjan, Koshare e Mejë – që të jenë simbole për evropianët. Në Zyrih do të bashkohen motoristë nga Italia, Gjermania e Austria, për t’u nisur më pas drejt Düsseldorfit, Hagës dhe Brukselit”, shtoi ai.









