Gramos Krasniqi, i njohur si “Mossi” është arrestuar bashkë me dy persona të tjerë për sulmin ndaj gazetarit Burim Pacolli.
Ditë më parë, gazetari Burim Pacolli ishte sulmuar fizikisht nga reperi “Mossi” dhe disa persona të tjerë.
Sulmi kishte ndodhur për shkak të disa analizave që gazetari i “Nacionales” i ka bërë këngëve të Mossit.
Pacolli më pas ishte kërcënuar nga reperi Gramos Krasniqi, i cili nga arratia i kishte thënë “une du gjak du me pa mish”.
“Normal une du gjak du me pa mish nuk jom kingur mu rre me grushta po masi ke ti u bo ni përjashtim i cili ska mu bo te shohum prap shpejt kush osht cekell a qka osht se edhe kryt e ajt edhe hala tu fol dmth je shum robq**”, ka shkruar ai.
Reperi e kishte kërcënuar privatisht Pacollin edhe që ta fshinte një postim që ky i fundit e kishte bërë në lidhje me reperin.
“7 min i ki me fshi at postim edhe mos me mpermen mo kurr se sa t’osht jeta gat mki borxh maje men”, ka shkruar ai.
Sulmin ndaj Pacollit e kishte dënuar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe institucione ndërkombëtare të medias.
“AGK-ja e dënon fuqishëm këtë sulm që ka cenuar integritetin fizik të Pacollit, dhe e fton Policinë e Kosovës për gjetjen dhe kapjen e autorit/autorëve, pas denoncimit që Pacolli ka bërë”, thuhej në reagimin e AGK-së.









