Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, është shprehur e pakënaqur pse Këshilli Gjyqësor i Kosovës, s’po i bindet direktivave të saja në lidhje me çështjen e dorëheqjes së gjyqtarëve serbë. Ajo, në një konferencë për media pas takimit që pati me përfaqësues të partive politike, tha se KGJK është dashur të veprojë njëjtë si Këshilli Prokurorial i Kosovës, dhe në këtë formë të refuzojë tërheqjen e dorëheqjeve të gjyqtarëve serbë.

“Mendoj që është lajm shumë i keq që atë ditë Këshilli Gjyqësor i Kosovës nuk veproi njësoj, në linjë me Këshillin Prokurorial të Kosovës dhe në linjë me përgjegjësitë ligjore. Ju njoftoj që unë i kam dërguar shkresë sërish Kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës. E kam njoftuar për raportin që unë kam, në raport me integritetin e atyre ish-gjyqtarëve serbë. Nuk më është përgjigjur ende në atë letër”, tha.

“Pres që sa më parë Këshilli Gjyqësor i Kosovës të veprojë në përputhje me përgjegjësitë. Nuk kanë nevojë që të bien në presionin dhe ndikimin e askujt. Është shumë e rëndësishme që si gjyqtarë, që të kryejnë me përgjegjësi të lartë detyrat që i kanë”, shton.

Mbledhja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës më 24, në të cilën ishte paraparë edhe shqyrtimi i kërkesës për kthimin e gjyqtarëve serbë në sistemin e drejtësisë së Kosovës, ka dështuar për shkak të mungesës së kuorumit.

Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, përmes një letre të dërguar më 19 qershor 2026 te kryesuesi i KGJK-së, Rrustem Thaqi, kishte kërkuar që Këshilli t’i japë epilog çështjes së dorëheqjeve të gjyqtarëve dhe stafit mbështetës nga komuniteti serb brenda sistemit gjyqësor të Kosovës.