Nënkryetari i Aleancës, Besnik Tahiri, ka deklaruar se moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës përbën shkelje të rendit kushtetues dhe mosrespektim të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Tahiri, në një konferencë për media bashkë me deputetët e tjerë të Grupit Parlamentar të Aleancës, tha se situata e krijuar paraqet rrezik për funksionimin institucional të vendit.

“Ajo që jemi duke parë dhe ajo që jemi dëshmitarë është, shkurt e shqip, një shkelje e rendit kushtetues nga partia që i ka fituar zgjedhjet”, deklaroi Tahiri.

Ai tha se aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë dhe përcakton se Kuvendi duhet të konstituohet brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve zgjedhore.

Tahiri kritikoi Lëvizjen Vetëvendosje, duke thënë se për 30 ditë pas certifikimit të rezultateve nuk ka pasur, sipas tij, përpjekje konkrete për përfundimin e procesit të konstituimit.

“Nuk do të lejojmë që rendi kushtetues të rrezikohet, nuk do të lejojmë që demokracia parlamentare të vijë në rrezik dhe nuk do të lejojmë që Kosova të bëhet parti-shtet”, tha ai.