Ish-koloneli i Policisë së Kosovës, Refki Morina, u ka bërë thirrje autoriteteve të Qeverisë së Kosovës që sa më parë të ekzekutojnë pagesat e pensioneve për familjet e policëve të rënë, duke thënë se kjo është “një detyrë e institucionale dhe respekt nga e gjithë popullata”.
“Nuk e di arsyen pse Ministria nuk i ka ndarë mjetet pensionale për familjet e kolegëve tanë të rënë, por një gjë e tillë duhet të ndodhë sa më parë. Kjo është detyrë e institucioneve shtetërore, por edhe respekt nga e gjithë popullata, sepse këta policë kanë dhënë jetën duke mbrojtur rendin dhe sigurinë e Kosovës”, ka thënë ish-koloneli Morina në një intervistë për Ekonomia Online.
Kujtojmë se Sindikata e Policisë së Kosovës ka shprehur shqetësimin se gjatë muajit dhjetor Ministria e Financave nuk ka ekzekutuar pagesat për familjet e zyrtarëve për zbatimin e rendit dhe ligjit, të cilët kanë rënë në detyrë. Sipas legjislacionit në fuqi, bashkëshorti ose bashkëshortja e të rënëve ose fëmijët nën moshën 18 vjeç kanë të drejt pensioni deri në 80% të pagës bruto.









