Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë ka thënë se përpjekjet e Vetëvendosjes për të bllokuar certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 28 dhjetorit janë “veprime përçarëse”. Në një reagim të lëshuar sot, Ambasada thotë se “veprime të tilla cenojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së”.

“Përpjekjet e VV-së për të bllokuar certifikimin e Listës Serbe për të marrë pjesë në zgjedhjet e Kosovës janë të ngushta në vizion dhe përçarëse. Të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë në gjendje t’i ushtrojnë të drejtat e tyre demokratike. Veprime të tilla cenojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së, përfshirë rifillimin e dialogut tonë strategjik për të avancuar mundësitë për bizneset amerikane dhe kosovare”, thuhet në reagimin e amerikanëve.

Një episod i ngjashëm ishte zhvilluar edhe në Zgjedhjet Lokale të 12 tetorit. Fillimisht, KQZ refuzoi ta certifikojë Listën Serbe, duke pretenduar se disa kandidatë ishin të lidhur me struktura paralele serbe. Lista Serbe e ankimoi vendimin në PZAP, i cili vendosi që KQZ është e detyruar ta certifikojë subjektin pasi refuzimi ishte i paarsyetuar. Në fund, edhe Gjykata Supreme la në fuqi vendimin e PZAP-it, duke i hapur rrugë pjesëmarrjes së Listës Serbe në zgjedhje.